Bujqësia në Zvicër është përballur me një vit të vështirë gjatë vitit 2026, si pasojë e temperaturave të larta, thatësirës së zgjatur dhe problemeve në tregun e mishit të derrit.

Sipas të dhënave të para të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave, vlera e shtuar bruto e sektorit bujqësor ka rënë për 11.7% krahasuar me vitin paraprak, duke arritur në 4.5 miliardë franga.
Ndërkohë, të ardhurat neto të fermave kanë shënuar rënie prej 17%, në 2.8 miliardë franga, nivel ky 4.5% nën mesataren e pesë viteve të fundit.
Thatësira ka goditur veçanërisht prodhimin bimor, vlera e të cilit ka rënë për 9%, ndërsa prodhimi i ushqimit për kafshë ka pësuar rënie prej 19.2%, shkruan SRF.
Sipas të dhënave, korrjet e panxharit të sheqerit kanë rënë për 33%, ndërsa ato të patateve për 24.8%, duke shënuar nivelet më të ulëta në 30 vitet e fundit, transmeton Telegrafi.
Probleme janë regjistruar edhe në sektorin e pemëtarisë, ku prodhimi ka rënë për 8.3%, si dhe në vreshtari, ku vlera e prodhimit ka shënuar rënie prej 8.8%.
Vështirësi të mëdha janë paraqitur edhe në tregun e mishit të derrit, ku oferta e tepërt ka bërë që çmimet të bien për 34.3%, ndërsa vlera e prodhimit të këtij sektori është zvogëluar për 30.8%.
Në anën tjetër, prodhimi i gjedheve ka shënuar rritje prej 10.6%.
Të dhënat e publikuara nga Zyra Federale e Statistikave dhe të raportuara nga SRF tregojnë se kushtet ekstreme të motit dhe zhvillimet në treg kanë ndikuar ndjeshëm në ekonominë e fermerëve zviceranë./Telegrafi/





