Çdo i dhjeti fëmijë i moshës 12 deri në 17 vjeç është viktimë e keqpërdorimit seksual, sipas një hulumtimi të UNICEF-it. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, në vetëm tetë muaj janë evidentuar 25 raste të keqpërdorimeve në internet.

Gonce Jankovlevska nga “Civika Mobilitas” thotë se qëllimi i iniciativave për mbrojtjen e fëmijëve nga keqpërdorimet nuk duhet të jetë vetëm sensibilizimi i opinionit, por edhe ndërmarrja e hapave konkretë për parandalimin e këtyre dukurive.
“Tashmë nuk flasim për supozime se sa është i lartë numri i fëmijëve që janë në njëfarë mënyrë të keqpërdorur në çfarëdolloj forme. Sepse tashmë ka hulumtime dhe numra, që na habisin. Dhe falë iniciativave të tilla shpresoj nuk do të mbetet vetëm te pjesa që të jemi të habitur, të flasim disa ditë në fejsbuk për atë se çdo i dhjeti fëmijë, sipas hulumtimit të UNICEFIT, është lëndë e keqpërdorimit seksual, nga 12 deri më 17 vjet”, deklaroi Gonce Jankovlevska, Civika Mobilitas.
Se problemi është i pranishëm edhe në vend, dëshmojnë të dhënat e projektit “Internet i sigurt për fëmijët dhe të rinjtë”, i cili zbatohet tashmë tetë muaj në bashkëpunim me institucionet kompetente. Liljana Pecova Ilievska nga organizata “Impetus” bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 25 raste të ndryshme të keqpërdorimeve dhe rreziqeve në internet.
“Deri më tani kemi marrë 25 raste, prej të cilave 9 janë profile, faqe ose pajisje të komprometuara, suspenduara ose të pa qasshme, përfshirë edhe rreziqe që lidhen me sigurinë. Pesë raste me profile të rrejshme, keqpërdorim të identitetit personal, 7 raste në pjesën e keqpërdorimit të fotografive, videove, të dhënave personale dhe përmbajtje të diskutueshme në internet, tani për tani kështu i detektojmë. Dhe nga 1 rast në pjesën e kërkesës për fshirje profilesh nëpër rrjete sociale”, tha Liljana Pecova Ilievska, Impetus.
Përveç evidentimit të rasteve, sfidë mbetet edhe reagimi institucional dhe krijimi i mekanizmave që do të garantojnë mbrojtje më efikase për fëmijët dhe të rinjtë. Deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska theksoi se vajzat janë veçanërisht të ekspozuara ndaj eksploatimit dhe dhunës seksuale.
“Në faqen e Kombeve të Bashkura lexova se veçanërisht vajzat janë të prekura nga eksploatimi dhe dhuna seksuale. Një nga 4 vajza kanë qenë viktima të dhunës seksuale deri në mbushjen e moshës 18 vjeçare, ndërsa te djemtë janë 1 nga 9”, theksoi Jovanka Trençevska.
Trençevska bëri të ditur se grupi parlamentar i LSDM-së ka dorëzuar në Kuvend një propozim-ligj për mbrojtjen e adoleshentëve gjatë përdorimit të shërbimeve digjitale dhe rrjeteve sociale. Sipas saj, me këtë zgjidhje ligjore synohet vendosja e rregullave më të qarta për funksionimin e platformave digjitale dhe përgjegjësinë e tyre në mbrojtjen e përdoruesve të mitur. Ajo pret që propozimi të marrë mbështetjen e deputetëve, duke vlerësuar se mbrojtja e fëmijëve në internet duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët./Alsat.mk





