Platforma eKosova ka njoftuar se Identiteti Elektronik (eID) tashmë është integruar në Platformën eKosova!

eKosova sqaron më tej se përveç kyçjes pa fjalëkalim, integrimi i eID-së mundëson edhe përdorimin e nënshkrimit elektronik në kuadër të shërbimeve të platformës.
Regjistrimi i biznesit të ri në eKosova, tashmë aplikuesit mund t’i nënshkruajnë dokumentet në mënyrë elektronike
Tashmë, gjatë aplikimit për regjistrimin e një biznesi të ri në eKosova, aplikuesit kanë mundësinë t’i nënshkruajnë dokumentet në mënyrë elektronike, pa pasur nevojë për procedura fizike të nënshkrimit.
“Ky është një nga përdorimet e para konkrete të nënshkrimit elektronik në platformën eKosova dhe një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të proceseve administrative. Përmes kësaj mundësie, synohet të reduktohet nevoja për dokumentacion fizik, të shkurtohet koha e përfundimit të procedurave dhe të lehtësohet qasja në shërbime për qytetarët dhe bizneset”, thuhet në njoftim.
eKosova thekson se integrimi i eID-së krijon bazën për zgjerimin e përdorimit të identitetit dhe nënshkrimit elektronik edhe në shërbime të tjera të platformës eKosova.
“Në vazhdim, kjo mundësi do të shtrihet gradualisht në shërbime të reja, duke synuar që gjithnjë e më shumë procese administrative të realizohen në mënyrë tërësisht elektronike, nga identifikimi dhe aplikimi deri te nënshkrimi dhe përfundimi i shërbimit”, thuhet tutje. /Telegrafi/




