Në emisionin “Kosova Today”, gazetarët e Klan Kosovës, Kastriot Tahiri dhe Arbreshë Uka kanë komentuar zhvillimet në rastin e Arlinda Zekajt, duke u ndalur te arrestimi i të dyshuarit kryesor për vrasjen e saj dhe te vendndodhja dhe kujdesi për fëmijën.

Gazetari Kastriot Tahiri tha se i dyshuari ishte arrestuar në Deçan, pas kërkimeve dyditore nga Policia e Kosovës.
Tahiri bëri të ditur se policia arriti ta lokalizonte dhe arrestonte të dyshuarin, ndërsa sipas raportimeve, ai dyshohet se kishte kërcënuar edhe zyrtarët policorë, transmeton Klankosova.tv.
“Krejt ngjarja pra arrestimi i tij, ka ndodhur në Deçan. Kërkimet pati për dy ditë me radhë pasi është i dyshuari kryesor për vrasjen e ish-kunatës së tij. Policia vonë dje e lokalizoi dhe e arrestoi. I njëjti sipas raportimeve kishte kërcënuar edhe policët”, tha Tahiri.
Ai foli edhe për paqartësitë që ishin krijuar në opinion lidhur me vendndodhjen e fëmijës pas rastit. Sipas Tahirit, më vonë Prokuroria kishte sqaruar për Klanin se fëmija ishte dërguar në Qendrën për Punë Sociale, ku punonjësit po merreshin me rastin.
Ndërkaq, gazetarja Arbreshë Uka e vlerësoi si lajm të mirë faktin që fëmija është marrë nën kujdesin e institucioneve shtetërore, larg familjes ku kishte ndodhur krimi.
“E ka strehuar shteti dhe ky është lajm i mirë, për të mos mbetur në familjen ku ka ndodhur krimi. Uroj që të trajtohet në mënyrën më të dinjitetshme”, deklaroi Uka.
Ajo u ndal edhe te përpjekjet e Arlinda Zekajt për të kërkuar drejtësi, duke theksuar se viktima kishte ngritur shqetësimet e saj deri në nivelet më të larta të sistemit të drejtësisë.
“Arlinda Zekaj ka alarmuar deri në hallka më të larta të drejtësisë, dhe kjo e rëndon sepse Arlinda ka qenë grua e zëshme. Ajo ka pas zë. Veç sa s’ka ardhë në një studio televizive”, u shpreh Uka.
Ndiqni videon për të kuptuar më shumë rreth rastit të Arlindës, i cili tronditi mbarë opinionin publik:




