Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë policorë.

Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, suspendimet janë bërë bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve po zhvillohet një hetim paraprak lidhur me veprimet apo mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit.
Përveç drejtuesve të lartpërmendur, janë suspenduar edhe shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës, komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.
Policia ka bërë të ditur se suspendimet janë realizuar në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale në trajtimin e rastit.
IPK-ja kishte nisur hetimet pas shqetësimeve të ngritura lidhur me mënyrën se si Policia e Kosovës i trajtoi raportimet e Arlinda Zekajt, e cila kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej.
Rasti mori vëmendje të shtuar pas publikimit të audioincizimeve, në të cilat Zekaj dëgjohet duke iu lutur togerit Faruk Muqolli që të zbatohej urdhri mbrojtës ndaj ish-bashkëshortit të saj.
Në njërin nga incizimet, ajo dëgjohet duke thënë: “Faruk, të lutem, të lutem, unë vrahem… por ju do të përgjigjeni”.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor, ndërsa tri ditë para vrasjes u kishte shkruar institucioneve, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Burimi: Dukagjini




