Raportimi i Insajderit për profesorin me aktakuzë për kërcënim ndaj dy kolegeve, Universiteti i Prizrenit e dërgon lëndën në Këshillin e Etikës

Raportimi i Insajderit për profesorin me aktakuzë për kërcënim ndaj dy kolegeve, Universiteti i Prizrenit e dërgon lëndën në Këshillin e Etikës

Raportimi i Insajderit për profesorin me aktakuzë për kërcënim ndaj dy kolegeve, Universiteti i Prizrenit e dërgon lëndën në Këshillin e Etikës

Pas publikimit të hulumtimit mbi heshtjen institucionale për rastet e prof. Shkëlqim Millaku brenda kampusit, Universiteti “Ukshin Hoti” konfirmon se Senati ia ka ridërguar çështjen Këshillit të Etikës, ndërsa kërkesa për pezullimin e tij mbetet ende “në shqyrtim”.

Sponsor 3M Express

Gazeta Insajderi

Universiteti “Ukshin Hoti” i Prizrenit ka reaguar pas raportimit të Gazetës Insajderi lidhur me aktakuzën ndaj profesorit Shkëlqim Millaku për kanosje dhe dëshmitë për sulm ndaj dy kolegeve të tij brenda hapësirave të kampusit universitar.

Në një përgjigje zyrtare me shkrim drejtuar redaksisë së Insajderit, ky institucion arsimor ka konfirmuar se çështja është rikthyer në trajtim të brendshëm dhe se lënda i është ridërguar Këshillit të Etikës.

Sipas Universitetit të Prizrenit, ky hap është ndërmarrë në mbledhjen e Senatit të mbajtur më 16 nëntor 2026.

“Në mbledhjen e datës 16.11.2026, Senati vendosi që çështja t’i ridërgohet Këshillit të Etikës. Këshilli i Etikës do ta shqyrtojë çështjen sipas kompetencave të përcaktuara në rregullore, duke marrë parasysh dokumentacionin dhe duke respektuar të drejtën e të gjitha palëve për t’u dëgjuar”, thuhet në përgjigjen e universitetit.

Përfaqësuesit ligjorë të dy profesoreshave të përfshira në këtë rast kanë dorëzuar më herët në universitet kërkesën zyrtare (të evidentuar me nr. prot. 04-494), bashkë me aktakuzën e ngritur më 23 tetor 2026, duke kërkuar konstatimin e shkakut ligjor për pezullimin e profesorit dhe ndërmarrjen e masave të sigurisë në vendin e punës.

Megjithatë, Universiteti i Prizrenit bën të ditur se ende nuk ka marrë një vendim për pezullim apo masa mbrojtëse, duke u arsyetuar se kërkesa është në proces shqyrtimi.

“Kërkesa për konstatimin e shkakut ligjor për pezullim dhe për marrjen e masave të sigurisë në vendin e punës është në shqyrtim. Universiteti do t’ua komunikojë palëve përgjigjen e arsyetuar brenda afatit ligjor”, deklaron institucioni, pa saktësuar një datë konkrete se kur pritet të merret ky vendim.

Në përgjigjen e tij, Universiteti i Prizrenit është munduar të sqarojë edhe pse rasti nuk kishte marrë epilog të brendshëm më herët, duke iu referuar një vendimi të Këshillit të Etikës të muajit shkurt 2026.

Sipas tyre, ai vendim kishte trajtuar vetëm “çështjet procedurale”, duke e lënë të hapur shqyrtimin e pretendimeve në themel, ndërsa aktakuza e tetorit dhe parashtresat e reja vlerësohen si zhvillime të mëvonshme.

Sa i përket dëshmive për incidentin fizik të pretenduar më 3 qershor 2025, universiteti konfirmon se ai përmendet në materialet shoqëruese të aktakuzës. Ndonëse aktakuza e dorëzuar lidhet me veprën penale të kanosjes, institucioni thotë se pretendimi për incidentin fizik mund të shqyrtohet në kuadër të procedurës së brendshme disiplinore nga Këshilli i Etikës.

Përballë shqetësimeve të ngritura për sigurinë e profesoreshave dhe pretendimeve për presion apo hakmarrje brenda institucionit, Universiteti i Prizrenit është kufizuar në formulime të përgjithshme procedurale.

“Në këtë fazë, përgjigjja jonë publike kufizohet në hapat institucionalë, duke respektuar prezumimin e pafajësisë, privatësinë e personave të përfshirë dhe pavarësinë e procedurës penale”, thuhet në fund të reagimit, duke shtuar se universiteti mbetet i angazhuar për një mjedis pune të sigurt.

Ndërkohë, para raportimit të Insajderit mbi aktakuzën e ngritur për veprën penale të kanosjes — ku ndër të tjera përmenden edhe kërcënime të rënda si “të gjuaj prej dritare” — si dhe mbi dëshmitë për sulm ndaj dy profesoreshave brenda kampusit, për këtë rast pati reaguar publikisht edhe organizata QIKA.

Përmes një reagimi të titulluar “Universiteti i Prizrenit duhet ta pezullojë profesorin Shkëlqim Millaku”, kjo organizatë pati kërkuar nga drejtuesit e universitetit që të ndërmarrin masa të menjëhershme duke e pezulluar profesorin në fjalë dhe duke garantuar sigurinë e grave të përfshira në rast brenda ambientit akademik.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Konjufca kërkon njohjen e Kosovës nga Greqia

Konjufca kërkon njohjen e Kosovës nga Greqia

Pjesëtari i Mbrojtjes së Afërt të FSK-së kryen kursin në Mbretërinë e Bashkuar

Pjesëtari i Mbrojtjes së Afërt të FSK-së kryen kursin në Mbretërinë e Bashkuar

Apeli vërteton burgimin e përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën

Apeli vërteton burgimin e përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën