Sulmuesi brazilian, i cili kishte nisur negociatat për vazhdimin e kontratës që nga vera, tashmë ka zyrtarizuar marrëveshjen e re, pasi më parë kishte refuzuar edhe ofertat nga klubet e Arabisë Saudite.
29-vjeçari ka qenë një prej futbollistëve më të rëndësishëm të Barcelonës në sezonet e fundit. Ai ka realizuar mbi 20 gola në secilën prej dy edicioneve të fundit, ndërsa në sezonin 2026/27 tashmë ka arritur në kuotën e 19 golave.

Pas nënshkrimit të kontratës së re, Raphinha ka zbuluar ambiciet e tij për vitet e ardhshme, duke theksuar se dëshiron të fitojë sa më shumë trofe me Barcelonën, përfshirë edhe Ligën e Kampionëve.
“Do të më pëlqente ta përfundoja karrierën time te Barcelona, nëse gjithçka shkon mirë. Nuk dua vetëm ta fitoj Ligën e Kampionëve, por të gjithë trofetë e mundshëm deri në vitin 2030”, deklaroi braziliani.
Megjithatë, Raphinha ka folur edhe për të ardhmen e tij me Kombëtaren e Brazilit, duke i dërguar një mesazh përzgjedhësit Carlo Ancelotti.
Ai ka lënë të kuptohet se angazhimi i tij i madh me Barcelonën mund të ndikojë në minutat që do të jetë në dispozicion të Brazilit.
“Nëse Ancelotti dëshiron të llogarisë në mua, ai e di se duhet t’i menaxhojë minutat e mia. Ai e di se çfarë duhet të bëjë si trajner dhe ne kemi biseduar për këtë”, u shpreh Raphinha.
Kështu, braziliani synon ta vazhdojë karrierën në nivelet më të larta me Barcelonën, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të ndikojë ky angazhim në rolin e tij te Kombëtarja e Brazilit.
Burimi: RTKLive




