Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara në Shqipëri, duke u ndalur te ndikimi i mundshëm i aktorëve të huaj dhe pretendimet për ndërhyrje në zhvillimet e brendshme të vendit. Gjatë konferencës për progres-raportin e Komisionit Europian për vitin 2026, Rama deklaroi se Shqipëria është përballur me një luftë hibride dhe se, sipas tij, aktorë të huaj nuk duan që vendi të avancojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Rama theksoi se nuk ka pretenduar se protestat janë organizuar nga Irani, por deklaroi se, sipas tij, ndikimi i regjimit të Teheranit është i pranishëm në zhvillimet në bulevard.
Ai akuzoi gjithashtu disa aktorë se po përpiqen t’i bashkojnë këto zhvillime në funksion të një axhende që, sipas tij, synon rrëzimin e qeverisë me dhunë.
“Unë i kam dëgjuar me shumë vëmendje të gjithë të tjerët që kanë ardhur poshtë zyrës sime çdo ditë. Nuk kam dëgjuar asnjë program dhe asnjë opsion për Shqipërinë, por vetëm: “S’ka dialog”. Përfshirja e aktorëve të huaj, nga qershori e deri te protestat e sotme, është reale. Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj lufte hibride. Unë nuk kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por kam thënë se duart e regjimit kriminal të Teheranit janë atje, në bulevard, dhe këto janë fakte.
Të njëjtat duar që ishin aktive në shpërndarjen e videove në rrjetet sociale, u shfaqën aktive edhe në Paris. Shkaku është te ne dhe detyra jonë është të adresojmë shkaqet. Ka aktorë të huaj që nuk duan që Shqipëria të jetë në BE dhe nuk duan që në vitin 2027 negociatat të mbyllen me sukses për Shqipërinë, por duan që të merremi me historinë e panumërt që nxitet çdo ditë, në një vorbull ku gjëja më skandaloze ka qenë justifikimi në kor i dhunës.
Është e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh, të cilin, për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe kanalet e dezinformimit publik. Nga ana tjetër, dua të them që qeveria është në krye të detyrës dhe vijon të punojë çdo ditë për këtë objektiv, për të mos lejuar që të humbasë një mundësi historike, të cilën e kemi krijuar me shumë punë dhe që është ndihmuar edhe nga rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë. Të tjerat janë si zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard”, tha Rama.
I pyetur nëse lëvizja e protestave në Shqipëri mund të marrë të njëjtën formë si Lëvizja Studentore në Serbi, kryeministri i cilësoi dy situatat si realitete krejtësisht të ndryshme, duke argumentuar se edhe qëndrimi i Bashkimit Europian ndaj zhvillimeve në të dyja vendet është i ndryshëm.
“Situata në Serbi dhe ajo në Shqipëri janë dy realitete që nuk kanë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin. Këtë mund ta konstatoni duke krahasuar qëndrimin e BE-së ndaj zhvillimeve në Serbi me qëndrimin ndaj ndryshimeve të mëdha që ka bërë Shqipëria këtë vit. Këto janë dy realitete krejt të ndryshme, pavarësisht përpjekjeve për t’i bashkuar në funksion të një axhende që nuk është as e BE-së dhe as e qeverisë, por axhenda e atyre që duan të rrëzojnë qeverinë me dhunë”, tha Rama.
Duke komentuar mobilizimin qytetar, Rama bëri një dallim mes protestave masive të qershorit dhe protestave të dhunshme në bulevard. Kryeministri tha se qeveria ka ndërmarrë hapa për të adresuar shqetësimet e qytetarëve.
“Sa i takon mobilizimit të madh, e kam bërë vetë dallimin mes protestave masive të qershorit dhe degradimit më pas të bulevardit në një arenë sorrash dhe korbash. Kjo nuk kishte se si të mos sillte dhunë, sepse ishte e dhunshme dhe e pajebënë që në nisje, me gurë dhe molotovë në dorë, ndërsa parrulla ishte: “S’ka dialog, jep dorëheqjen”. Në funksion të protestave masive, ne kemi bërë hapa të rëndësishëm për të adresuar ato që kemi lexuar si arsye të mobilizimit qytetar. Kemi ndërmarrë hapa në drejtim të transparencës dhe kemi adresuar drejtpërdrejt çështje që lidhen me anën ekonomike të shqetësimeve të njerëzve, si ulja e çmimeve të ushqimeve të shportës dhe ulja e taksës së qarkullimit te çmimi i karburanteve.
Nuk ka kthim te e majta ideologjike, por te rishpërndarja te qytetari duke rritur ekonominë. Nuk është e majta apo e djathta që e bën vezën të kuqe; është vetëm ekonomia që na jep ose jo mundësinë. Ekonomia jonë rritet, ndryshe nga çfarë mund të thuhet, dhe rritja e saj na ka dhënë mundësinë të shpërndajmë masivisht, me një paketë të re që do të ishte e pamundur dhe ka qenë e pamundur në kushte të tjera”, tha Rama.




