Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, raportohet se u ka kërkuar ministrave t’u kërkojnë dorëheqjen të gjithë drejtuesve të institucioneve që janë në varësi të tyre.

Sipas burimeve të “Top Channel”, Rama i ka kontaktuar ministrat nga Budva e Malit të Zi, duke u kërkuar që t’i mbledhin drejtuesit e institucioneve dhe t’u kërkojnë dorëheqje të parevokueshme.
Ky vendim pritet të bëhet publik në ditët në vijim, në një kohë kur qeveria po përballet me protesta në Tiranë. Megjithatë, ende nuk dihet nëse kjo nismë synon të qetësojë pakënaqësitë e protestuesve apo lidhet me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Një javë më parë, Rama kishte paralajmëruar masa ndaj drejtuesve të administratës që nuk respektojnë afatet për t’iu përgjigjur qytetarëve dhe për t’i zgjidhur problemet e tyre.
“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do të përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, kishte deklaruar Rama.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




