Rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve po ua vështirëson qytetarëve të Mitrovicës përballimin e shpenzimeve të përditshme, veçanërisht pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta. Ata thonë se pensionet dhe pagat nuk po mjaftojnë për nevojat mujore, ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile dhe vlerësojnë se gjendja rëndohet edhe nga papunësia, pagat e ulëta dhe mundësitë e kufizuara për punësim.

Rifat Ahmeti ka thënë për KosovaPress se pensionet janë të ulëta, ndërsa çmimet vazhdojnë të jenë të larta.
“Çmimet janë shumë të larta, ndërsa pensionet dhe rrogat nuk janë të mëdha. Pensionet i kemi shumë të vogla, kurse çmimet janë të larta. Për ne nuk po interesohet askush. Ai që ka fëmijë e ka edhe më vështirë, ndërsa ai që nuk ka fëmijë po kapërcen disi”, tha Ahmeti.
Ndërkaq, Bedri Ibrahimi tha se përballimi i shpenzimeve varetnga të ardhurat dhe numri i anëtarëve të familjes.
“Çka me thënë? Nevojë e tregtarëve, s’po di tjetër çka me thënë, veç nevojë e tregtarëve. Nevoja të shtin me përballu edhe ata, edhe ata, tjetër nuk ka. Po varet sa shpenzon, sa anëtarë jeni në familje. Varet krejt prej asaj, edhe sa e ke pensionin. Nëse e ke pensionin pak më të mirë, prapë mundesh me bo diçka, përndryshe vështirë. Krejt këto, krejt nevojë e tregtarëve janë. Qaty e blen 1.20, 1.50 euro, ma anej del ta shet 2 euro”, tha Ibrahami.
Edhe Sjedi Rrustemi u ankua për çmimet, duke i krahasuar ato me kostot e produkteve dhe shërbimeve në Suedi, ku, sipas tij, pagat janë dukshëm më të larta.
“Rritja e çmimeve me këto rroga nuk shkon. Rroga 150 euro për pensionerë – ne të tjerët çka bëjmë pa to? Ai që nuk punon, ku me i marrë ato pare? Çmimet janë diçka të tepërta. Unë nuk jetoj këtu, jetoj në Suedi. Për shembull, 12 kruna kushton një kilogram banane, që i bie rreth 1.20 euro. Këtu një kilogram banane kushton më shumë. Kush i blen? Ai që ka mundësi i blen, ai që nuk ka, nuk i blen. Çmimet janë shumë të mëdha. Specat dimrit i kam marrë këtu në Emona për 5 euro, ndërsa në Suedi janë rreth 4 euro. Po flas për Suedinë, ku rrogat janë shumë më të larta, ndërsa këtu rroga është 150 euro dhe buka kushton 60, 70 apo edhe 80 cent. Çmimet janë të tepruara.
Si mundet t’u bëjë ballë populli, nuk e di. Rrogat nuk janë rritur në përputhje me çmimet. Unë rrymën e kam paguar. Jetoj vetëm në banesë dhe më ka ardhur 47 euro rrymë, edhe pse nuk kam larë rroba në makinë. Çfarë çmimi është ai? Thonë se rryma nuk është shitur, por unë këtë shumë as në Suedi nuk e paguaj. Pa i larë rrobat më ka ardhur 47 euro rrymë, ndërsa uji 20 euro. Domethënë, si mundemi me i përballu këto shpenzime? Çmimet janë diçka të tepruara”, tha Rrustemi.
Në anën tjetër, Deli Sefedini tha se pensionistët po përballen me vështirësi për shkak të pensioneve të ulëta dhe rritjes së çmimeve. Ai tha se ka punuar për 35 vjet, por vetëm 15 vjet i janë llogaritur për pension.
“Ma mirë mos me fol hiç, a po e sheh si janë bo çmimet. Na myten me çmime, pensione jo, punë jo, kurgjo jo, e ka kap tjetër kush në dorë, e na veç po rrime. 35 vjet kam punuar, një pension e marr 240€, po kqyre, idaren është gjithqysh edhe me pak. Na s’jemi mësua me pas shumë, po bëjmë idarekapak, veç idaren na e kanë marrë tjerët, kryesia, se ata po ihanë paret tona.
Se unë kam punuar 35 vjet e vetëm 15 vjet më numërohen, jo puna sa kam punuar. Qita tonët i kanë fajet e këta, inshallah pshtojnë mirë. A po e sheh që nuk po mundem me u marrë vesh ndërmjet vete, po dojnë krejt me u bo, vetëm për interesa të veta, për interes të xhepit. Ai qysh me u bo unë kryetar, ai qysh unë kështu. Për me u rrit ma s’besoj ka ku me shku, vetëm nëse rriten pensionet, që punojnë e rritet kontributi e që rriten çmimet pak. Kurgjo nuk është. Shteti si shtet duhet me punu për veti, se kur nuk ka shteti, na nuk kem hiç”, tha Sefedini.
Mehmet Salihu, aktivist i shoqërisë civile, vlerëson se rritja e çmimeve po ndikon veçanërisht te familjet që marrin asistencë sociale dhe te punëtorët e sektorit privat.
“Rritja e çmimeve ndikon, fatkeqësisht, te një masë e madhe e qytetarëve të Mitrovicës, duke u bazuar edhe në statistika, ku Mitrovica është qyteti me numrin më të lartë të banorëve që marrin asistencë sociale. Kjo dukshëm ndikon në qytetin e Mitrovicës, duke u bazuar në ngritjen e çmimeve të produkteve bazë e pastaj edhe të produkteve të tjera. Por, siç edhe më herët, fatkeqësisht, kjo e prek klasën e familjeve me asistencë sociale, por edhe familjet që kanë të punësuar në sektorin privat. Fatkeqësisht, e dimë se qyteti i Mitrovicës, si shumica e komunave të tjera, numrin më të madh të punëtorëve e ka në sektorin privat. E dimë se, fatkeqësisht, shumica e punëtorëve nuk janë të pajisur me kontrata, gjë që e bën edhe më sfiduese përballimin e çmimeve nga ana e tyre, duke mos e marrë as pagën minimale, siç e parasheh ligji”, tha ai.
Salihu kërkoi më shumë angazhim institucional për mbrojtjen e konsumatorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës.
“Unë do të kisha thënë ndoshta që niveli qendror ta rishikojë dhe ta aprovojë ligjin për çmimet tavan, në radhë të parë, sepse kjo, në njëfarë forme, do t’ua lehtësonte jetën qytetarëve. Nivelet lokale, së bashku me nivelin qendror, ndoshta duhet të inspektojnë më shumë vendet e punës përtë parë se sa punëtorë janë të pajisur me kontrata. Kjo, fatkeqësisht, ndër vite ka qenë sfidë për nivelin qendror dhe atë lokal, ku unë jam i bindur se pagat minimale, sidomos në qytetin e Mitrovicës, nuk e arrijnë pagën minimale që e parasheh ligji”, u shpreh Salihu.
Ndërkaq, gazetari Urall Boshnjaku tha se rritja e çmimeve po ndikon në fuqinë blerëse të qytetarëve, në një komunë ku, sipastij, mundësitë e punësimit mbeten të kufizuara.
“Rritja e çmimeve të produkteve bazike dhe produkteve të tjera shoqëruese ka ndikuar domosdoshmërisht në jetën dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve mitrovicas, si dhe në fuqinë e tyre blerëse, duke marrë parasysh se Mitrovica është një prej qyteteve më të varfra në Kosovë, meqë numri i familjeve që marrin asistencë sociale ka qenë deri vonë, çdovit, prej 1.500 deri në 1.600, por ndryshon prej muajit në muaj. Kjo ndodh edhe si pasojë e paqëndrueshmërisë së vendeve të punës dhe faktit që në shumicën e familjeve vazhdon të jetë i punësuar vetëm një familjar. Andaj, në momentin që familjari largohet nga puna, familja kalon drejtpërdrejt në asistencë sociale. Kjo ndikon në rritjen apo uljen e numrit të familjeve përfituese, varësisht nga muaji në muaj, në komunën e Mitrovicës, e cila priret të jetë komuna më e varfër e Kosovës. Fakti që qytetari nuk e ka fuqinë e mjaftueshme blerëse bën që t’i kufizojë aktivitetet e tij të përditshme, si dhe të shmangë çdo lloj shpenzimi që mund të jetë barrë për tërë familjen, por edhe për të personalisht.
Duke e pasur parasysh se komuna e Mitrovicës ka shumë për të dëshiruar edhe në aspektin e punësimit, duhet marrë parasysh fakti se shumica e rinisë mitrovicase dhe gjeneratat më të vjetra vazhdojnë që çdo ditë të marrin rrugën drejt Prishtinës, në kryeqytet, ku i kanë vendet e punës për të siguruar kafshatën e gojës. Ndërsa, fuqia punëtore në Mitrovicë është shumë më e kufizuar sesa në Prishtinë, ku pagat janë më të ulëta dhe, domosdoshmërisht, kjo bën që shumica e punëtorëve të zgjedhin një standard më të mirëjetese. Andaj, shumica e mitrovicasve, e sidomos gjeneratat e reja, largohen drejt Prishtinës për një standard më të mirë. Kjo pastaj bën që edhe numri i banorëve lokalë në Mitrovicë të bjerë dhe, fatkeqësisht, edhe në bazë të statistikave kemi një rënie të theksuar të numrit të mitrovicasve që, për arsye të ndryshme, janë larguar nga vendi”, deklaroi ai.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në shtator 2026 është rritur për 7.8 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, transmeton KosovaPress.
Sipas ASK-së, inflacioni mujor ishte 0,2 për qind krahasuar me gushtin 2026.
Ndërsa, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga transporti, me 23,9 për qind, strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 11,9 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 6,3 për qind.

Gjithashtu të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se papunësia mbetet sfidë në Mitrovicë. Sipas profilit të komunës, të publikuar në korrik 2026 bazuar në Regjistrimin e Popullsisë të vitit 2024, shkalla e papunësisë te personat e moshës 25 deri në 64 vjeç ishte 19 për qind, kundrejt 12.7 për qind në nivel vendi. Te të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç, kjo shkallë arrinte në 26.8 për qind. Raporti tregon gjithashtu se 12.5 për qind e popullsisë së komunës i kishte pensionet burim kryesor të të ardhurave. /KP/




