Qindra persona kanë protestuar të mërkurën në mbrëmje në qendër të Cyrihut, duke kërkuar t’i jepet fund dhunës ndaj grave, vrasjeve të tyre, dhunës seksuale, psikologjike dhe asaj në familje.

Demonstrata, e cila ishte paralajmëruar, por nuk ishte autorizuar, u zhvillua nën moton “Rezistente dhe të vetëvendosura – t’i japim fund dhunës patriarkale”.
Organizatorët e cilësuan protestën si një ditë të vetëmbrojtjes kolektive, duke kërkuar që shoqëria të mos e normalizojë dhunën dhe shtypjen, raporton Watson.
Sipas mediave zvicerane, disa qindra protestues marshuan nga Bahnhofstrasse nëpër rrugët e qendrës së qytetit, ndërsa policia monitoroi nga afër situatën.
Shumë prej pjesëmarrësve ishin të veshur me rroba të errëta dhe të maskuar, ndërsa disa mbanin edhe syze dhe maska mbrojtëse.
Policia mobilizoi forca të shumta, përfshirë një automjet me top uji dhe qen policorë, transmeton Telegrafi.
Sipas 20 Minuten, policia ka kryer edhe të shtëna paralajmëruese, megjithatë situata në përgjithësi mbeti e qetë.
Gjatë marshimit u ndezën vazhdimisht mjete piroteknike, ndërsa përgjatë rrugës u raportuan dëme materiale, kryesisht në formën e grafiteve dhe mbishkrimeve me sprej.
Protesta dhe operacioni policor shkaktuan gjithashtu ndërprerje të konsiderueshme në qarkullimin e tramvajeve dhe autobusëve.
Pas orës 21:00, protestuesit arritën në sheshin Helvetiaplatz, ku demonstrata gradualisht përfundoi.
Ende nuk dihet shkalla e dëmeve materiale, ndërsa nuk ka informacione të konfirmuara për arrestime të mundshme./Telegrafi/





