Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës.

Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi i ka dhënë dritën e gjelbër edhe marrëveshjes së ndërsjellë juridike ndërmjet dy vendeve.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, tha se marrëveshja për ekstradim paraqet një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit juridik me Francën.
Sipas tij, marrëveshja krijon një bazë ligjore për ekstradimin e personave të kërkuar, qoftë për ndjekje penale apo për vuajtjen e dënimeve të shqiptuara nga organet e drejtësisë.
“Ky akt shënon një hap të rëndësishëm të një bashkëpunimi juridik me një nga partnerët tanë kyç evropianë. Përmes kësaj marrëveshjeje, ne vendosim një bazë të qartë dhe të qëndrueshme ligjore për ekstradimin e personave të kërkuar, qoftë për ndjekje penale apo për vuajtjen e dënimit të shqiptuar nga organet e drejtësisë. Marrëveshja përcakton veprat penale për të cilat lejohet ekstradimi, kushtet dhe procedurat e dorëzimit, si dhe rastet e dorëzimit të tij”, tha ai.
Krahas kësaj, Qeveria ka miratuar vendosjen e regjimit të vizave për shtetasit e Belizesë, duke e larguar këtë shtet nga lista e vendeve të përjashtuara nga ky regjim.
Ahmeti tha se kjo masë është pjesë e përafrimit gradual të politikës së vizave të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian dhe përmbushjes së angazhimeve të vitit 2026 në kuadër të Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes.
Sipas tij, përmbushja e këtij hapi reformues lidhet me përfitimin e 6.26 milionë eurove në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.
“Vendosja e regjimit të vizave për shtetasit e Belizesë dhe heqja e këtij shteti nga lista e vendeve të përjashtuara nga ky regjim. Ky propozim është pjesë e përafrimit gradual të politikës së vizave të Kosovës me atë të BE-së. Me këtë masë përmbushim angazhimin për vitin 2026 në kuadër të Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për përfundimin e regjimit të vizave për të paktën një shtet që BE-ja kërkon vizë. Përmbushja e këtij hapi reformues lidhet me përfitimin e 6.26 milionë eurove në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje”, potencoi Ahmeti.
Ndërkaq, në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar edhe vazhdimin e zbatimit të Masës 3.8, “Bursa e Mobilitetit për Studentë”, pjesë e Pakos për Ringjallje Ekonomike.
Zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, tha se skema do të vazhdojë t’i mbështesë studentët, ndërsa ndarja e bursave do të bëhet duke marrë parasysh distancën gjeografike nga institucioni i arsimit të lartë. Në materialin e prezantuar është përmendur se nga kjo skemë përfitojnë 8 mijë e 200 studentë.
Kryeziu vlerësoi se vazhdimi i kësaj mase u garanton studentëve siguri dhe stabilitet financiar gjatë vitit akademik.
“Vijuar më tutje në përcaktimin e kushteve dhe kritereve për shpalljen e kësaj skeme. Kjo masë do të vazhdojë t’i mbështesë studentët në mënyrë të drejtë, bazuar në distancën gjeografike deri te institucioni i arsimit të lartë. Vazhdimi i saj u garanton studentëve siguri dhe stabilitet financiar gjatë vitit akademik”, theksoi Kryeziu.
Krahas këtyre vendimeve, Qeveria ka miratuar edhe katër projektligje të tjera të propozuara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që kanë të bëjnë me ratifikimin e konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Hagës për Marrëveshjen për Zgjedhjen e Gjykatës të vitit 2005, Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Ljublanës/Hagës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të tjera Ndërkombëtare.
Po ashtu, është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Konventës së Hagës për Aktgjykimet të vitit 2019, që rregullon njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja në çështjet civile ose tregtare, si dhe Projektligji për ratifikimin e Protokollit për ndryshimin e Marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). /Kp/





