Dhjetë vjet NALT në Kosovë – gjenerali Schulte-Borghoff flet për rolin e misionit dhe përparimin e FSK-së

Dhjetë vjet NALT në Kosovë – gjenerali Schulte-Borghoff flet për rolin e misionit dhe përparimin e FSK-së

Dhjetë vjet NALT në Kosovë – gjenerali Schulte-Borghoff flet për rolin e misionit dhe përparimin e FSK-së

Ekipi Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) shënon dhjetë vjet nga themelimi, një dekadë angazhimi në mbështetje të zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes civile dhe mbikëqyrjes demokratike të organizatave të sigurisë në Kosovë.

Sponsor 3M Express

Me këtë rast, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Thomas Schulte-Borghoff, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, flet për misionin e ekipit, bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, si dhe prioritetet për të ardhmen.

NALT-i përbëhet nga 50 anëtarë nga 13 vende anëtare të NATO-s, përfshirë edhe personel nga Kosova. Ai vepron me mandat të ndarë nga ai i KFOR-it dhe i ofron këshilla FSK-së në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtjen civile.

Schulte-Borghoff vlerëson përparimin e FSK-së në reagimin ndaj emergjencave, ndërsa thekson nevojën për forcimin e logjistikës dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, në mënyrë që këto kapacitete të mbeten të qëndrueshme. Ai shpjegon edhe bashkërendimin e përditshëm me KFOR-in dhe angazhimin për sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Më poshtë, intervista e plotë:

Telegrafi: NALT-i po shënon dhjetëvjetorin e themelimit. Për ata që mund të mos jenë të njohur me këtë ekip të NATO-s, çfarë është NALT-i, cili është misioni i tij në Kosovë dhe çfarë përfaqëson ky përvjetor?

Thomas Schulte-Borghoff: Ne jemi një ekip prej pesëdhjetë (50) anëtarësh, nga trembëdhjetë (13) vende anëtare të NATO-s, përfshirë edhe personel nga Kosova. NALT-i është misioni i dytë që NATO-ja ka në Kosovë, me mandat të ndarë nga ai i KFOR-it. Ne ofrojmë këshilla për aktivitetet që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve të organizatave të sigurisë në Kosovë. Kjo mbështetje këshillëdhënëse ka dy synime: sigurimin e mbikëqyrjes efektive civile dhe zhvillimin e strukturave adekuate të forcës për të mbështetur autoritetet civile, si dhe planifikimin efektiv të emergjencave civile. Ekipi im i këshilltarëve është aktiv në të gjithë Kosovën, duke zhvilluar takime të përditshme me homologët në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave. Ne i ofrojmë këshilla FSK-së, në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtjen civile. Përmes këtij angazhimi, ne japim kontributin tonë në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe të stabilitetit të rajonit dhe më gjerë.

Telegrafi: NATO-ja ka mbështetur shpërbërjen e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK) dhe themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Cilat janë arritjet kryesore të këtij angazhimi dhe si ka kontribuar NALT-i gjatë dhjetë viteve të fundit?

Thomas Schulte-Borghoff: Qytetarët dhe institucionet në Kosovë mund të vërejnë përparimin e arritur në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes civile të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Këto kapacitete janë vënë në përdorim si në Kosovë, ashtu edhe në rajon, për reagimin ndaj emergjencave të ndryshme, duke filluar nga zjarret në pyje, materiet e rrezikshme, mjetet shpërthyese, e deri te operacionet e kërkim-shpëtimit. Jam i bindur se shumë lexues e kanë parë rolin e çmuar të FSK-së si reaguese e parë në raste të tilla, pothuajse çdo ditë. Roli ynë ka qenë mbështetja e FSK-së në zhvillimin dhe ruajtjen e këtyre kapaciteteve dhe jam shumë i kënaqur me përparimin që FSK-ja ka arritur në këtë fushë. Krahas zhvillimit të këtyre kapaciteteve, ne kemi mbështetur edhe zhvillimin e mekanizmave efektivë të mbikëqyrjes civile për menaxhimin e FSK-së. NATO-ja i kushton rëndësi të veçantë sigurimit të llogaridhënies demokratike të forcave të sigurisë dhe është inkurajuese të shohësh se edhe lidershipi i FSK-së ndan të njëjtin qëndrim, gjë të cilën mund ta konfirmoj edhe nga takimet dhe bashkëbisedimet e mia me përfaqësuesit e saj.

Telegrafi: Si zhvillohet një ditë e zakonshme e punës suaj? Me cilat institucione bashkëpunoni dhe në cilat fusha ofroni këshilla dhe mbështetje?

Thomas Schulte-Borghoff: Nuk ka një ditë të zakonshme pune për një këshilltar, pasi puna jonë përfshin një gamë të gjerë çështjesh, duke filluar nga planifikimi, buxhetimi, menaxhimi i burimeve njerëzore, mbështetja mjekësore dhe logjistika, e deri te përfaqësimi i komuniteteve joshumicë dhe përfaqësimi gjinor. Të gjithë anëtarët e ekipit tim këshillëdhënës janë profesionistë me përvojë, qofshin ata ushtarakë apo civilë, të cilët sjellin me vete ekspertizë dhe njohuri të çmuara për t’i ndarë.

Telegrafi: Mandati i NALT-it ka mbetur i pandryshuar për dhjetë vite me radhë. Si e përshtatni mbështetjen tuaj ndaj nevojave aktuale të organizatave të sigurisë në Kosovë, si në mbikëqyrjen demokratike, ashtu edhe në zhvillimin e strukturave të forcës?

Thomas Schulte-Borghoff: Misioni ynë nuk ka ndryshuar, por ne përshtatemi me kërkesat në ndryshim të homologëve tanë dhe me kontekstin gjithnjë në ndryshim të punës sonë. Natyrisht, ka disa fusha që janë jashtë mandatit tonë, por ne mund të përshtatemi aty ku është e mundur. Një shembull është mbështetja jonë për ndërtimin e qëndrueshmërisë/reziliencës në Kosovë. Duke e vlerësuar rëndësinë e kësaj fushe, ne kemi krijuar një pozitë të posaçme të këshilltarit për qëndrueshmëri brenda ekipit tonë, me qëllim të mbështetjes së homologëve tanë në avancimin e punës dhe përpjekjeve të tyre në këtë fushë të rëndësishme. Jam i përkushtuar që aktivitetet tona në të ardhmen t’i përshtatim në përputhje me udhëzimet nga lidershipi i NATO-s dhe nevojat e homologëve tanë në Kosovë.

Thomas Schulte-BorghoffFoto: NALT

Telegrafi: Si do ta vlerësonit bashkëpunimin tuaj me FSK-në dhe institucionet tjera të sigurisë në Kosovë? Cilat janë nevojat kryesore që keni identifikuar në kuadër të këtij bashkëpunimi?

Thomas Schulte-Borghoff: Ne bashkëpunojmë çdo ditë me organizatat e sigurisë në Kosovë. Gjatë misioneve të tyre, të cilat mund të zgjasin mbi një vit, këshilltarët tanë ndërtojnë marrëdhënie të forta bashkëpunimi dhe besimi me homologët e tyre. Me kapacitetet ekzistuese Kosova tashmë është mjaft mirë e përgatitur. Megjithatë, krahas zhvillimit të FSK-së, është e domosdoshme që një fokus i veçantë t’u kushtohet edhe funksioneve mbështetëse, përfshirë logjistikën dhe menaxhimin e burimeve njerëzore. Kjo do të sigurojë që ofrimi i reagimit emergjent të jetë i qëndrueshëm në të ardhmen. Këtu mund të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje, gjithmonë në përputhje me mandatin origjinal të FSK-së për mbrojtjen civile.

Telegrafi: NALT-i dhe KFOR-i janë të dyja pjesë e NATO-s, por kanë mandate të ndryshme. Cilat do të jenë prioritetet tuaja në vijim dhe si do të bashkërendoni veprimet me KFOR-in dhe institucionet e Kosovës?

Thomas Schulte-Borghoff: Ne jemi të vendosur në kampin “Film City” në Prishtinë, ku ndodhet Shtabi i Përgjithshëm i KFOR-it. Prandaj, ne koordinohemi ngushtë me KFOR-in, në baza ditore. Pavarësisht mandateve tona të ndryshme, ne ndajmë angazhimin e përgjithshëm të NATO-s për të kontribuar në sigurinë në Kosovë, në dobi të të gjitha komuniteteve dhe, përmes kësaj, në stabilitetin rajonal. Pra, përpjekjet tona janë plotësuese dhe mbështesin njëra-tjetrën. Ky përkushtim mbetet i pandryshuar dhe vazhdon të jetë ndër prioritetet kryesore të agjendës së NATO-s. Shpresoj që Kosova të vazhdojë t’u kushtojë rëndësi arritjeve të rëndësishme të deritanishme në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes civile dhe të ndërtojë mbi këto rezultate edhe në të ardhmen, në shërbim dhe në të mirë të të gjitha komuniteteve./Telegrafi/.

Lexo edhe

Qorrolli: BE-ja duhet t’i kërkojë falje Kosovës për këngën nacionaliste serbe

Qorrolli: BE-ja duhet t’i kërkojë falje Kosovës për këngën nacionaliste serbe

Përparim Rama alarmon për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”: Anulohet takimi në Athinë

Përparim Rama alarmon për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”: Anulohet takimi në Athinë

“T’kom zemër”, puthje e përqafime mes Arlindës dhe Norës (VIDEO)

“T’kom zemër”, puthje e përqafime mes Arlindës dhe Norës (VIDEO)