Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar zyrtarisht Policinë e Kosovës për të nisur hetimet lidhur me pretendimet për qasje të paautorizuar në llogarinë bankare të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Lajmi është konfirmuar nga vetë Prokuroria, duke bërë të ditur se rasti tashmë ka kaluar në duart e hetuesve policorë dhe ndodhet në fazën parahetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave.
Në përgjigjen e organit të akuzës, bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit ka dhënë udhëzimet përkatëse, por detajet shtesë po mbahen sekrete për të mos dëmtuar hetimet.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se rasti në fjalë është pranuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme parahetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit. Megjithatë, duke marrë parasysh fazën aktuale të procedurës penale, për momentin nuk mund të ofrojmë detaje shtesë lidhur me këtë çështje, sepse mund të cenohet mbarëvajtja e procesit hetimor”, thuhet në përgjigje.
Përpjekja për ndërhyrje në llogarinë bankare të të parit të kryeqytetit pritet të zbardhet nga sektori i krimeve kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, lidhur me të njëjtin rast ka reaguar dje edhe Raiffeisen Bank, e cila ka konfirmuar se ka pranuar dhe trajtuar ankesën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Kjo bankë bëri të ditur se pas hetimit dhe shqyrtimit të rastit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, përfshirë njoftimin e autoriteteve kompetente.
Burimi: Sinjali




