Vendet e Bashkimit Evropian kanë urdhëruar 3.920 shtetas të Kosovës të largohen gjatë vitit 2025, që paraqet një rritje prej 9,5 për qind krahasuar me vitin paraprak, kur ishin regjistruar 3.580 raste.

Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat-it, të analizuara nga SchengenVisaInfo.com, Kosova ishte i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që shënoi rritje të numrit të urdhrave për largim nga vendet e BE-së. Në ndërkohë, për shtetet e tjera të rajonit është regjistruar rënie, ndërsa numri i përgjithshëm për Ballkanin Perëndimor ka rënë për 13,6 për qind.
Pas Kosovës, në rajon, numrin më të madh të urdhrave për largim e shënuan shtetasit e Shqipërisë, me 11.960 raste, ndonëse kjo shifër ishte 20,4 për qind më e ulët se në vitin 2024.
Serbia regjistroi 4.780 urdhra, 11,4 për qind më pak se një vit më parë. Ndërsa për Bosnjën dhe Hercegovinën u regjistruan 2.380 raste, për Maqedoninë e Veriut 2.030 dhe për Malin e Zi 350. Të gjitha këto shtete shënuan rënie krahasuar me vitin paraprak.
Viti 2025 ishte viti i dytë që qytetarët e Kosovës përfituan nga mundësia e udhëtimit pa viza në zonën Schengen, e drejtë që hyri në fuqi më 1 janar 2024.
Sipas të dhënave të publikuara, kosovarët u renditën të tretët në rajon për nga numri i urdhrave për largim, pas shqiptarëve dhe serbëve. Madje, numri i tyre ishte më i lartë se ai i shtetasve amerikanë, për të cilët u regjistruan 2.350 urdhra, dhe britanikëve, me 1.750 raste.
Franca ishte shteti që kontribuoi më së shumti në rritjen e numrit të urdhrave për largim të kosovarëve. Autoritetet franceze lëshuan 1.575 urdhra gjatë vitit 2025, apo 43 për qind më shumë se në vitin 2024, kur ishin regjistruar 1.100 raste.
Pas Francës, numri më i madh i urdhrave u regjistrua në Gjermani me 580, Suedi me 340, Kroaci me 305 dhe Belgjikë me 250 raste.
Rritje të numrit të urdhrave shënuan edhe Hungaria, nga 120 në 215, si dhe Finlanda, nga 130 në 165. Në anën tjetër, Sllovenia lëshoi vetëm 70 urdhra, krahasuar me 1.640 sa kishte regjistruar në vitin 2023.
Nga 3.920 kosovarët që morën urdhër për largim, 3.245 ishin burra dhe 675 gra. Në mesin e tyre ishin edhe 335 fëmijë nën moshën 18-vjeçare, që përbëjnë 8,5 për qind të numrit të përgjithshëm. Kjo përqindje është më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian për të gjitha shtetësitë, e cila ishte 5,8 për qind.
Megjithatë, numri i urdhrave për largim të shtetasve të Kosovës mbetet më i ulët krahasuar me vitin 2019, kur ishin regjistruar 5.295 raste.
Duhet theksuar se një urdhër për largim nuk nënkupton domosdoshmërisht dëbimin e personit. Ai paraqet një vendim të autoriteteve se qëndrimi i një individi në territorin e një shteti është i parregullt dhe se ai duhet të largohet brenda një afati të caktuar. Në disa raste, vendimi mund të shoqërohet edhe me ndalim të hyrjes në zonën Schengen.
Ndërkaq, qytetarët e Kosovës që udhëtojnë pa viza në zonën Schengen kanë të drejtë të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Që nga tetori i vitit 2025, Sistemi i Hyrje-Daljeve (EES) i Bashkimit Evropian mundëson regjistrimin dhe llogaritjen automatike të qëndrimeve të udhëtarëve.




