Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pretenduar se një punonjës i Raiffeisen Bank ka pasur qasje të paautorizuar në llogarinë e tij bankare dhe më pas ka shpërndarë të dhëna personale dhe informacione për transaksionet e tij.

Përmes një komunikate të Zyrës për Komunikim të Kabinetit të Kryetarit, bëhet e ditur se Rama ka paraqitur ankesë zyrtare në bankë dhe ka kërkuar sqarime lidhur me rastin.
Sipas komunikatës, banka e ka njoftuar kryetarin se punonjësi i dyshuar, i gjinisë mashkull, është identifikuar dhe është larguar nga puna.
“Kryetarit Rama i është konfirmuar se një punonjës i Raiffeisen Bank është qasur pa autorizim në llogarinë bankare të tij dhe ka shpërndarë të dhëna personale nga llogaria e tij”, thuhet në komunikatë.
Rama ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugën gjyqësore ndaj bankës dhe punonjësit përgjegjës, duke kërkuar përgjegjësi për cenimin e konfidencialitetit bankar dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
“Ndaj bankës do të kërkohet përgjegjësi për shkeljen e detyrimeve ligjore për ruajtjen e konfidencialitetit bankar dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Për veprimet e punonjësit do të kërkohet vlerësimi i përgjegjësisë penale sipas neneve 199 dhe 200 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, sipas kabinetit të kryetarit, Rama do të kërkojë kompensim për dëmin që pretendon se i është shkaktuar nga cenimi i privatësisë dhe dëmtimi i reputacionit publik.
Telegrafi i është drejtuar Raiffeisen Bank me pyetje për të marrë versionin e saj lidhur me rastin, ndërsa është në pritje të përgjigjes. /Telegrafi/




