Kosova dhe Shqipëria e kanë përmbyllur edicionin e Ligës së Kombeve me nga gjashtë ndeshje të zhvilluara, por mënyra se si i kanë shfrytëzuar futbollistët në dispozicion ofron një krahasim interesant, veçanërisht sa i përket hapësirës së dhënë për lojtarët e rinj.

Kosova garoi në Ligën B, një nivel më lart se Shqipëria, e cila ishte pjesë e Ligës C. Kjo nënkuptonte kundërshtarë më të fortë dhe ndeshje me shkallë më të lartë vështirësie për “Dardanët”, por kjo nuk e pengoi përzgjedhësin Franco Foda të provonte një numër më të madh futbollistësh dhe t’u jepte mundësi edhe emrave të rinj.
Në bazë të statistikave të minutave të zhvilluara në këto gjashtë ndeshje, Kosova ka aktivizuar 29 futbollistë, ndërsa Shqipëria 25.
Kosova u dha më shumë minuta futbollistëve të rinj
Dallimi bëhet edhe më i dukshëm kur analizohen minutat e futbollistëve nën moshën 23-vjeçare.
Kosova ka aktivizuar pesë futbollistë të kësaj grupmoshe: Erblin Osmani, Bleon Kurtulus, Leon Avdullahu, Dion Gallapeni dhe Dion Kacuri.
Ata kanë regjistruar së bashku 1 mijë e 47 minuta në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Kjo përbën rreth 17.9 për qind të të gjitha minutave të zhvilluara nga futbollistët e Kosovës.
Në anën tjetër, Shqipëria ka aktivizuar katër futbollistë nën moshën 23-vjeçare: Samuele Sina, Luis Hasa, Feta Fetai dhe Klevi Qefalija.
Megjithatë, këta katër futbollistë kanë grumbulluar vetëm 141 minuta në total, apo rreth 2.4 për qind të minutave të përgjithshme të Shqipërisë.
Pra, në këtë aspekt, dallimi është mjaft i madh. Futbollistët nën 23-vjeç të Kosovës kanë marrë më shumë se shtatë herë minuta sesa bashkëmoshatarët e tyre te Shqipëria.
Edhe shpërndarja e minutave te lojtarët e rinj të Kosovës është interesante.
Leon Avdullahu dhe Dion Gallapeni janë dy prej shembujve më të mirë, pasi të dy kanë regjistruar nga 481 minuta. Kjo tregon se nuk bëhet fjalë vetëm për aktivizime simbolike, por për besim të konsiderueshëm nga stafi teknik.
Dion Kacuri ka luajtur 81 minuta, ndërsa dy futbollistët më të rinj, Erblin Osmani dhe Bleon Kurtulus, kanë marrë nga tri, respektivisht një minutë.
Osmani, vetëm 17-vjeçar, përfaqëson një prej emrave më interesantë për të ardhmen, ndërsa Kurtulus, 19-vjeçar, gjithashtu ka marrë mundësinë për të qenë pjesë e këtij niveli.
Te Shqipëria, futbollisti me më së shumti minuta nga grupmosha nën 23-vjeçare është Samuele Sina me 90 minuta. Luis Hasa ka luajtur 34 minuta, Klevi Qefalija 16, ndërsa Feta Fetai vetëm një minutë.
Shqipëria me më shumë minuta te “bërthama e përvojës”
Një tjetër dallim vërehet te futbollistët që kanë bartur barrën kryesore të ndeshjeve.
Te Shqipëria, Adrian Ismajli dhe Berat Gjimshiti kanë qenë ndër lojtarët më të angazhuar, me 540, respektivisht 495 minuta. Mario Mitaj ka regjistruar 434 minuta, ndërsa Stavro Pilo 437 minuta.
Në mesfushë, Kristjan Asllani ka qenë një prej futbollistëve kryesorë me 523 minuta, ndërsa në sulm Rey Manaj ka luajtur 425 minuta.
Edhe te Kosova ka pasur futbollistë që kanë qenë shtylla të skuadrës. Mërgim Vojvoda dhe Ilir Krasniqi kanë regjistruar nga 540 minuta, ndërsa Leon Avdullahu dhe Dion Gallapeni nga 481 minuta.
Megjithatë, përtej futbollistëve që kanë bartur përgjegjësinë kryesore, Kosova ka pasur një shpërndarje më të gjerë të minutave.
Për shembull, Lindrit Kamberi ka luajtur 180 minuta, Ermal Krasniqi 161, Kreshnik Hajrizi 116, Valmir Matoshi 122 dhe Dion Kacuri 81 minuta.Këto janë mundësi të rëndësishme për futbollistët që të krijojnë përvojë ndërkombëtare dhe të dëshmojnë se mund të jenë alternativa për të ardhmen.
Hapësira për të rinjtë, një prej arsyeve pse futbollistët po e zgjedhin Kosovën
Përtej statistikave dhe minutave të zhvilluara, ky dallim mund të ketë rëndësi edhe për të ardhmen e Kombëtares së Kosovës, sidomos në garën për të bindur futbollistët e rinj me prejardhje kosovare që aktivizohen në Evropë.
Në një kohë kur Kosova vazhdon të jetë në kërkim të talentëve të rinj në diasporë, mundësia për të marrë minuta dhe për të qenë pjesë e rëndësishme e projektit të përfaqësueses mund të shërbejë si një argument shtesë për ta zgjedhur fanellën e Dardanëve.
Statistikat e fundit të Ligës së Kombeve e përforcojnë këtë ide. Kosova iu dha 1 mijë e 47 minuta futbollistëve nën 23-vjeç, për dallim nga vetëm 141 minuta që Shqipëria u dha lojtarëve të kësaj grupmoshe.
Disa lojtarë janë pajtuar me këtë mundësi dhe siç e kemi parë së fundmi, dyshja Lutfi Dalipi dhe Enis Rexhepi zgjodhën Kosovën para Shqipërisë.
Shqipëria në dijeni se ky problem po e pengon zhvillimin e Kombëtares
Shqipëria tashmë e ka pranuar se nevoja është që të shfrytzëohen më shumë futbollistëve të rinj.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka deklaroi publikisht se përzgjedhësi Ronaldo Maran është dashur t’i jepte më shumë minuta lojtarëve të rinj.
“Vendi i parë nuk do të thotë se gjithçka ishte perfekte. Duke pasur parasysh nivelin e kundërshtarëve, do të kisha dashur që ky edicion të na kishte shërbyer edhe për t’u dhënë më shumë hapësirë futbollistëve të rinj. Krahas arritjes së objektivit, duhet të punojmë vazhdimisht për të zgjeruar alternativat dhe për të përgatitur të ardhmen e Kombëtares”, ka deklaruar Duka për Telegrafin.
Përndryshe, të dy kombëtaret tona do të rikthehen në muajin mars në “aksion”, kurse kundërshtarët e shortit për “Euro 2028” do t’i mësojnë më 6 dhjetor 2026./Telegrafi/





