Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se kufizimet në shërbimin satelitor ushtarak Starshield të kompanisë SpaceX po pengojnë operacionet me dronë të ushtrisë ukrainase dhe po dobësojnë përpjekjet e vendit në luftën kundër Rusisë.

Gjatë fundjavës, dy persona u vranë nga një sulm rus me dronë me motorë reaktivë ndaj asaj që zyrtarët ukrainas e cilësuan si “infrastrukturë kritike” në rajonin verior të Koriukivkës.
Ndërkohë, gjatë natës së së dielës, një objekt energjetik në Odesa u godit gjithashtu, duke lënë pa energji elektrike rreth 41 mijë familje, transmeton Telegrafi.
Zelensky e lidhi suksesin e këtyre sulmeve ruse me kufizimet që, sipas tij, janë vendosur në përdorimin e Starshield nga Ukraina. Ushtria ukrainase mbështetet në këtë shërbim që nga dhjetori i vitit 2024 për të kapur dronët rusë.
Starshield është një shërbim i lidhur me Starlink, rrjetin e SpaceX që përbëhet nga rreth 11 mijë satelitë në orbitën e ulët të Tokës dhe ofron internet me shpejtësi të lartë, edhe në zona të largëta.
Çfarë deklaroi Zelensky?
Në një postim në platformën X të dielën, Zelensky tha se Rusia po synon nënstacionet elektrike me dronë Shahed, të cilët të dyja palët i përdorin shpesh për sulme ndaj njëra-tjetrës.
Ai shtoi se “shumë prej këtyre sulmeve po depërtojnë për shkak se kufizimet në shpejtësinë e funksionimit të terminaleve Starshield përgjatë vijës së frontit dhe në territoret përkohësisht të pushtuara janë ende në fuqi”.
“Presim që këto kufizime të hiqen. Mbrojtja e jetëve dhe e infrastrukturës energjetike të Ukrainës përpara dimrit varet drejtpërdrejt nga kjo”, shkroi ai.
Zelensky kishte akuzuar edhe të shtunën shërbimin satelitor për kufizimin e shpejtësisë së internetit dhe pengimin e operacioneve ushtarake. Sipas tij, këto kufizime kishin qenë në fuqi për pesë ditë.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët ukrainas ankohen se kufizimet në Starshield po dëmtojnë përpjekjet mbrojtëse të Kievit.
Muajin e kaluar, zyrtarët e mbrojtjes ukrainase thanë se kishin humbur qasjen në disa komunikime të rëndësishme satelitore dhe se ndërprerjet kishin ndikuar në misionet ushtarake. Kjo ndodhi pas sulmeve të fuqishme ruse me raketa dhe dronë, për të cilat Ukraina tha se nuk kishte marrë paralajmërim paraprak.
Si po ndikojnë kufizimet e internetit në mbrojtjen e Ukrainës?
Sipas një raporti të publikuar më 2 nëntor nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), Starshield është thelbësor për Ukrainën, pasi mundëson enkriptimin e komunikimeve satelitore që nevojiten për drejtimin e dronëve gjatë operacioneve të interceptimit.
“Përveç përdorimit të Starshield për sulme në territoret ukrainase të pushtuara nga forcat ruse, Ukraina përdor dronë të pajisur me këtë sistem për të interceptuar dhe mbrojtur veten nga dronët rusë, përfshirë modelet e reja me motorë reaktivë që synojnë infrastrukturën kritike dhe objektivat civile”, thuhet në raportin e CSIS-it.
Pa qasje në internetin Starshield, dronët ukrainas nuk mund të funksionojnë me të njëjtin efikasitet.
“Dronët tanë interceptues humbin lidhjen me operatorët kur arrijnë shpejtësinë prej 161 kilometrash në orë dhe thjesht nuk mund t’i arrijnë Shahedët rusë me motorë reaktivë”, shkroi Zelenskyy të dielën në X.
Pas ndërprerjeve të muajit të kaluar, ai kishte theksuar gjithashtu rëndësinë e informacionit për lëshimin e raketave balistike ruse.
“Informacioni nga inteligjenca për lëshimin e raketave balistike ruse ndihmon në shpëtimin e jetëve dhe kjo është një nga çështjet më kritike”, kishte shkruar ai.
“Pikërisht kjo ndihmon që njerëzit të mos vriten – kur ka paralajmërim të hershëm për raketat balistike”, shtoi presidenti ukrainas.
Muajin e kaluar, Serhiy Beskrestnov, këshilltar i Zelenskyt për çështjet e mbrojtjes, kishte shkruar në Telegram se SpaceX kishte vendosur gjithashtu një “kufi shpejtësie” për terminalet Starlink, duke e kufizuar shpejtësinë e internetit në 161 kilometra në orë.
Kjo nënkuptonte se çdo dron ose raketë që fluturonte më shpejt se ky kufi humbiste lidhjen e drejtimit.
“Forcat tona të armatosura nuk u njoftuan paraprakisht për këto kufizime dhe kjo çoi në dështimin e disa misioneve”, kishte deklaruar ai, duke shtuar se vendimi ishte qartazi “i lidhur me situatën aktuale politike”.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se kufizimet kanë ndikuar edhe në logjistikën në vijën e frontit, zbulimin dhe transmetimin e sinjaleve.
Çfarë janë dronët rusë me motorë reaktivë?
Dronët me motorë reaktivë janë mjete ajrore pa pilot me shpejtësi të lartë, të pajisura me motorë të vegjël turbojet, në vend të helikave tradicionale ose motorëve me piston.
Në luftën kundër Ukrainës, Rusia ka përdorur gjithnjë e më shumë variante të tilla, përfshirë modelet Geran-3, Geran-4 dhe Geran-5.
Këta dronë fluturojnë shumë më shpejt se modelet me helika, duke e bërë dukshëm më të vështirë interceptimin e tyre nga sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore.
Në gusht, 38 persona u vranë në fshatin Myla të Ukrainës, kur një sulm rus me dronë goditi një depo municionesh. Ndërsa në shtator, 12 persona të tjerë u vranë në sulme në pjesë të ndryshme të vendit.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yurii Ihnat, deklaroi në shtator se vendi ka një shkallë interceptimi mbi 90 për qind kundër dronëve me helika, por kjo përqindje bie në vetëm 60 për qind kundër modeleve me motorë reaktivë.
Megjithatë, Ukraina është kundërpërgjigjur me sistemet e saj të dronëve, duke goditur edhe rafineritë ruse. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, në gusht u goditën 12 rafineri, dy fabrika të përpunimit të gazit dhe tri terminale të transportit të naftës.
Të dielën, ushtria ukrainase njoftoi se kishte rrëzuar 106 nga 132 dronët rusë të lëshuar gjatë natës.
Për të përmirësuar përballjen me dronët rusë me motorë reaktivë, Zelensky tha se u kishte kërkuar ekipeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe zyrës presidenciale që “të punojnë sa më ngushtë me palën amerikane dhe SpaceX” për heqjen e kufizimeve në Starshield.
“Është e rëndësishme të jesh në anën e duhur të historisë. Është thelbësore të ndihmohet Ukraina”, deklaroi ai të dielën.
A nuk kishin thënë Trump dhe Musk se qasja në internet ishte rikthyer?
SpaceX, në pronësi të miliarderit amerikan Elon Musk, ende nuk u është përgjigjur akuzave të fundit të Zelenskyyt lidhur me Starshield.
Megjithatë, muajin e kaluar, kompania dhe Musk mohuan se kishin kufizuar shpejtësinë e internetit.
Duke iu përgjigjur një postimi në X të ish-ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili kishte thënë se kufizimet po hiqeshin dhe kishte kërkuar shpejtësi të pakufizuar të internetit, Musk shkroi se “sistemet Starshield janë në pronësi dhe nën kontrollin e qeverisë amerikane”.
“Çdo kufizim i shpejtësisë ose përdorimit vendoset nga ushtria amerikane dhe, në fund, nga presidenti i SHBA-së”, deklaroi ai.
Musk sqaroi gjithashtu se Starlink përdoret për “aktivitete civile ose mbrojtëse dhe nuk mund të përdoret për veprime ushtarake sulmuese, pasi kjo do të ishte e papërshtatshme për një kompani tregtare”. Kjo deklaratë u interpretua si një përpjekje për të bërë dallimin mes Starlink dhe Starshield.
Në një intervistë për Financial Times muajin e kaluar, Zelenskyy tha se zyrtarët ushtarakë amerikanë e kishin paralajmëruar më herët Kievin se Uashingtoni do të ndërpriste shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës nëse Ukraina nuk ndalte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Ai hodhi poshtë mundësinë që incidenti me Starshield të kishte qenë një defekt teknik.
“Nuk ishte problem teknik, ishte vullnet”, deklaroi Zelenskyy.
Tensionet mes Kievit dhe Uashingtonit janë shtuar që nga rikthimi i Donald Trumpit në presidencë vitin e kaluar. Mosmarrëveshjet lidhen, ndër të tjera, me ngurrimin në rritje të Uashingtonit për ta mbështetur ushtarakisht Ukrainën dhe përpjekjet e tij për të arritur një marrëveshje me Rusinë.
Megjithatë, Trump ka deklaruar se janë operacionet e Musk që përcaktojnë funksionimin e Starlink në Ukrainë.
I pyetur muajin e kaluar për kufizimet e internetit në Ukrainë, ai u tha gazetarëve se Musk kishte rikthyer qasjen e Kievit, duke mohuar çdo rol të Shtëpisë së Bardhë në këtë çështje.
Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se vendimet për shpejtësinë dhe qasjen në Starlink i takojnë Musk.
“Në thelb, kjo rregullohet përmes një kontrate private tregtare, e cila përcakton mënyrën se si mund të përdoren shërbimet e tyre dhe çfarë shpejtësish do të lejojnë”, kishte deklaruar Rubio.
Ku kanë mbetur negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës?
Ndërkohë, zyrtarë ukrainas dhe rusë zhvilluan javën e kaluar bisedime për paqe në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Takimet, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, prodhuan vetëm një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve dhe nuk shënuan përparim drejt përfundimit të luftës, e cila po i afrohet pesëvjetorit.
Uashingtoni paraqiti gjithashtu një rrugë të re për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, një synim që Kievi e ka mbështetur prej kohësh si mënyrë për të garantuar mbrojtjen e vendit nga Rusia.
Sipas Zelenskyt, administrata e Trumpit ka sugjeruar se Ukraina duhet të pranojë të heqë dorë nga i gjithë rajoni i Donbasit në lindje të vendit, një nga kushtet që presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërkuar për përfundimin e luftës.
Të shtunën, Zelensky u tha gazetarëve se mundësia e anëtarësimit në NATO në këmbim të lëshimit të territoreve nuk ishte diskutuar më parë nga anëtarët e aleancës. Ai përsëriti se Kievi nuk do të heqë dorë nga asnjë prej territoreve të tij.
Megjithatë, presidenti ukrainas tha se nëse vendi merr një marrëveshje paqeje që përfshin garanci sigurie, të drejtën për të mbajtur një ushtri të fortë dhe të financuar mirë, si dhe fonde për rindërtimin e vendit, atëherë do të organizonte një referendum kombëtar për çështjen e lëshimit të territoreve në këmbim të anëtarësimit në NATO.
Kremlini ende nuk është përgjigjur ndaj propozimit të fundit amerikan. Megjithatë, Moska vazhdon ta cilësojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO si një vijë të kuqe dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të Rusisë. Putini e ka përmendur gjithashtu synimin e Ukrainës për t’u anëtarësuar në aleancë si një nga arsyet e nisjes së pushtimit në vitin 2022.
Ndërkaq, Moska këmbëngul që Ukraina të heqë dorë nga sovraniteti mbi rajonin e Donbasit, si dhe mbi pjesë të rajoneve Zaporizhzhia dhe Kherson, të cilat Rusia tashmë i kontrollon. /Telegrafi/





