Ushtria amerikane ka kryer sulme ajrore në ishullin Qeshm, në jug të Iranit, ndërsa të paktën pesë anije janë përfshirë nga zjarri pasi goditën mina detare në Ngushticën e Hormuzit, raporton Euronews.
Zyrtarët iranianë njoftuan se sulmet amerikane u kryen të martën në mbrëmje, ndërsa banorët raportuan se kishin dëgjuar të paktën pesë shpërthime.

Zëvendësguvernatori i Hormozganit, Ahmad Nafisi, deklaroi se sulmet nuk shkaktuan dëme në zonat e banuara apo tregtare.
“Situata në ishullin Qeshm është nën kontroll dhe të gjitha ekipet e shpëtimit dhe shërbimet përkatëse janë në gatishmëri të plotë”, tha ai.
Zyrtarët amerikanë konfirmuan se avionët luftarakë kishin goditur pozicionet e lëshimit të raketave iraniane në ishull, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Iranit kundër personelit dhe mjeteve amerikane.
Sipas Euronews, sulmet pasuan incidentet në Ngushticën e Hormuzit, ku të paktën pesë anije goditën mina detare gjatë lundrimit në rrugë që Irani i konsideron të paautorizuara.
“Kalimi i sigurt kërkon koordinim me Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit, lundrim nëpër zonat e përcaktuara si të sigurta dhe mbajtjen të aktivizuara të sistemeve të navigimit”, njoftoi ushtria iraniane.
Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) pretendoi se kishte rrëzuar një dron amerikan MQ-1 Predator pranë ishullit Qeshm, duke përdorur një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore.
IRGC-ja gjithashtu pretendoi se kishte sulmuar me dron një sistem radari amerikan në bazën ajrore Sheikh Isa në Bahrein. Megjithatë, autoritetet e Bahreinit dhe Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftuan se dronët ishin interceptuar pa shkaktuar dëme.
Që nga fillimi i luftës në shkurt, Irani është përpjekur të kufizojë trafikun në Ngushticën e Hormuzit, duke kërkuar që anijet të lundrojnë vetëm në rrugët e autorizuara nga Teherani.
Burimi: RTKLive





