Protesta e studentëve, pedagogëve dhe të rinjve në Tiranë ka vijuar për të 17-ën ditë radhazi, me kërkesa për ndryshime dhe thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit u mblodhën fillimisht para Ministrisë së Arsimit, prej nga marshuan drejt Kryeministrisë, ku vazhduan tubimin dhe përsëritën sloganet kundër qeverisë.
Gjatë protestës, të rinjtë brohoritën thirrjet “Dorëheqje” dhe “Revolucion”, ndërsa bllokuan pjesërisht bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Edhe këtë ditë, studentët refuzuan ftesat e kryeministrit Rama për dialog, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre duhet të plotësohen përpara se të nisë çfarëdo procesi negociues. Ndërkohë, kreu i qeverisë i përsëriti ftesat për dialog para godinës së Kryeministrisë.
Autoritetet kanë vendosur një kordon sigurie përreth institucionit dhe kanë marrë masa për menaxhimin e trafikut në zonë.
Protesta po zhvillohet në mënyrë të qetë, pa incidente apo përplasje me policinë, e cila po monitoron situatën nga perimetri i Kryeministrisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




