Kryeqyteti i Kosovës po pasurohet me një vepër të veçantë artistike dhe shpirtërore me rastin e festave të nëntorit.

Nesër, duke filluar nga ora 10:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet ceremonia solemne e përurimit të mozaikut madhështor kushtuar shenjtores shqiptare, Shën Nënë Terezës.
Kjo vepër monumentale artistike, me një sipërfaqe mbresëlënëse prej 33 metrash katrorë është realizuar nga Don Dominik Kukeli dhe i kushtohet figurës së ndritur të gruas dhe shenjtores shqiptare, e cila i dhuroi mbarë botës një dëshmi të jashtëzakonshme feje, humanizmi dhe dashurie për të varfrit e të pamundurit.
Ceremonia e zbulimit të mozaikut do të zhvillohet nën patronazhin dhe në praninë e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Shën Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
Për mbi 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve e jetimëve. Ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.
Data e 5 shtatorit për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë u zgjodh për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës së Kalkutës, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.
Shën Tereza ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë. Ndërsa Papa Françesku më 4 korrik të vitit 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit ka shpallur Nënë Terezën, si Shën Tereza. Kjo erdhi pas lituanive të shenjta që u bën në Vatikan. /KP/





