Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dalë sot në një deklaratë për mediat, duke bërë publike paketën e re ligjore që lidhet me protestat e fundit të studentëve.

Këtë paketë, ai e ka quajtur kundër dhunës dhe anarkisë urbane.
Pjesë e paketës është edhe ligj i ri sipas modelit francez, “Kush thyen, paguan”, me gjoba deri në 500 mijë lekë të reja për shkeljet e parashikuara.
Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, sipas tij, përgjegjësia financiare do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve, sipas rregullave që do të përcaktohen në aktet përkatëse.
“Kemi gati paketën ligjore të masave kundër dhunës dhe anarkisë. Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari.”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se kjo paketë ka gjashtë instrumente, që synon gjithashtu edhe dëmshpërblimin e bizneseve.
“Përgjegjësia vetjake, kufizimet e përkohshme, paketa me 6 instrumente, një akt normativ për dëmshpërblimin e biznesit të vogël, ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve në bizneset e vogla, disa ndryshime në ligjin për tubimet, regjistër elektronik i posaçëm për dhunuesit urbanë, një ndryshim në kodin e etikës së mësuesve dhe disa propozime për ndryshime në Kodin Penal të Shqipërisë”, është shprehur ai.
Protestat kundër tij, ai i ka quajtur si flakë jonatyrore, e cila sipas tij, do të shuhet.
“Edhe këtë flamë fatkeqësie jo natyrore do ta shuajmë përballë protestuesve dhunues”, ka thënë ai. /Klankosova.tv




