
Presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula me rastin e 28 Nëntorit u është drejtuar me një mesazh qytetarëve, duke thënë se në këtë ditë krenaria dhe identiteti ynë kombëtar marrin kuptim të veçantë.
Shiroka Pula shkruan se sot, flamuri me shqiponjën dykrenare valëvitet me krenari kudo ku jetojnë shqiptarët dhe na bashkon përtej kufijve shtetërorë dhe na kujton rrënjët, gjuhën, historinë dhe identitetin që na lidh përgjithmonë.
“28 Nëntori është dita kur historia, krenaria dhe identiteti ynë kombëtar marrin kuptim të veçantë. Më 1912, në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi dhe shpalli Shqipërinë të lirë e të pavarur. Një akt historik që kurorëzoi përpjekjet dhe sakrificën e brezave që luftuan për lirinë e atdheut.
Sot, flamuri me shqiponjën dykrenare valëvitet me krenari kudo ku jetojnë shqiptarët. Ai na bashkon përtej kufijve shtetërorë dhe na kujton rrënjët, gjuhën, historinë dhe identitetin që na lidh përgjithmonë.
Nderim për ata që luftuan dhe sakrifikuan. Krenari për flamurin që na bashkon. Përgjegjësi për ta ruajtur dhe përcjellë këtë trashëgimi te brezat që vijnë.
Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë!”, thuhet në mesazhin e presidentes Shiroka-Pula. /Telegrafi/





