Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, dhe kryeministri Albin Kurti kanë zhvilluar takime me Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjeneralin Alexus G. Grynkewich, me të cilin kanë diskutuar për sigurinë, stabilitetin dhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takimin e Shiroka Pulës me gjeneralin Grynkewich është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, rolin e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për bashkëpunimin e mëtejshëm.
Gjatë takimit, presidentja ka shprehur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e NATO-s dhe të KFOR-it në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend, duke theksuar rëndësinë e pranisë së KFOR-it për sigurinë e të gjithë qytetarëve.
“Presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për forcimin e partneritetit me NATO-n dhe për avancimin e bashkëpunimit me aleatët, duke nënvizuar se anëtarësimi në NATO mbetet një ndër objektivat strategjikë të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, Presidentja Shiroka Pula theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se e ka pritur në takim gjeneralin Grynkewich, i cili ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, dhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati.
Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar investimet e Kosovës në mbrojtje dhe avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Për katër vjet me radhë shpenzimet tona për mbrojtje kalojnë 2% të Bruto Produktit Vendor, javën e kaluar u betuan 515 ushtarë të rinj e këtë javë 209 rekrutë nisën stërvitjen bazë, teksa po vazhdojmë me trajnime e blerje, me synim rritjen profesionale ushtarake dhe ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Jemi përpara në planin dhjetëvjeçar dhe do ta përmbushim atë para vitit 2028. Republika e Kosovës e çmon rolin e NATO-s për çlirimin e vendit dhe është falënderuese ndaj KFOR-it për kontributin për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në vend dhe rajon”, ka shkruar Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




