Ish-shefi i Stafit të Presidencës, Bekim Çollaku, ka zbuluar detaje nga prapaskenat e konfirmimit të aktakuzës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Në një intervistë ai tregoi për përjetimin e vetë Thaçit dhe ekipit të tij, duke konfirmuar se informacioni mbi aktakuzën kishte arritur te ata përpara se shefi i EULEX-it ta dorëzonte njoftimin zyrtar.

“Ne kemi pasur informacion që aktakuza ishte konfirmuar. E kemi pasur edhe unë edhe presidenti. Para se të vinte shef i EULEX-it. Kemi qenë të përgatitur që mund të ndodhte. Nga mënyra se si ishte bërë publike, nënkuptonte që tashmë gjithçka ishte përgatitur“, ka thënë Çollaku.
Ai ka rrëfyer edhe për ditën e 4 nëntorit kur i ishte konfrimuar aktakuza dhe për përgatitjet që po bëheshin për udhëtimin e Thaçit drejt Hagës me datën 5 nëntor 2020.
Ai ka thënë se kishin qëndruar deri në orët e para të mëngjesit bashkë me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
“Kam qenë në zyrë deri në orët e para të mëngjesit të datës 5. Ishte e habitshme qetësia. Një përmbajtje absolute. Gjakftohtësi e ruajtje e racionalitetit në mendime për atë se si duhet ecur tutje”, ka thënë Çollaku në FRONTAL.
Burimi: Insajderi




