Një skemë mashtrimi në WhatsApp, e njohur si “Ghost Pairing”, po rikthehet në vëmendje, ndërsa policia paralajmëron përdoruesit për rrezikun e marrjes së kontrollit të llogarive të tyre nga persona të panjohur.

Sipas raportimeve të mediave gjermane dhe zvicerane, mashtruesit shfrytëzojnë funksionin e lidhjes së pajisjeve në WhatsApp për të fituar qasje në llogaritë e përdoruesve.
Pasi arrijnë ta lidhin pajisjen e tyre me një llogari tjetër, ata mund t’u dërgojnë mesazhe kontakteve të viktimës dhe të kërkojnë para në emër të saj, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.
Skema nis zakonisht me një mesazh që duket sikur vjen nga një mik apo person i njohur.
Viktima mund të marrë një lidhje për një votim online, një konkurs ose një aktivitet tjetër, si dhe udhëzime për të skanuar një kod QR apo për të konfirmuar lidhjen e një pajisjeje.
Nëse i ndjek këto hapa pa e kuptuar se çfarë po autorizon, mund t’u japë mashtruesve qasje në llogarinë e saj.
Një rast i raportuar në Gjermani përfshiu një 26-vjeçar nga rajoni i Oberpfalz-it, i cili mori një kërkesë për ndihmë financiare përmes llogarisë WhatsApp të një të njohuri.
Duke besuar se mesazhi ishte i vërtetë, ai transferoi një shumë prej disa qindra eurosh.
Kur mori një kërkesë të dytë për para, dyshoi dhe e telefonoi personin në fjalë, i cili i tha se nuk kishte dërguar asnjë mesazh. Viktima e raportoi rastin në polici.
Për t’u mbrojtur nga kjo skemë, përdoruesit këshillohen të kontrollojnë rregullisht pajisjet e lidhura me llogarinë e tyre.
Në WhatsApp, kjo mund të bëhet te seksioni “Pajisjet e lidhura” (Linked Devices), ku duhet të shkëputen menjëherë pajisjet e panjohura.
Policia rekomandon gjithashtu që përdoruesit të mos ndajnë kodet e verifikimit me persona të tjerë, të mos konfirmojnë lidhje të pajisjeve që nuk i kanë kërkuar vetë dhe të aktivizojnë verifikimin me dy hapa.
Në rastet kur një kontakt i njohur kërkon papritur para, këshillohet që kërkesa të verifikohet përmes një telefonate ose një kanali tjetër komunikimi, pasi llogaria e tij mund të jetë komprometuar.
Ekspertët paralajmërojnë se një nga rreziqet kryesore të “Ghost Pairing” është fakti se WhatsApp mund të vazhdojë të funksionojë normalisht në telefonin e viktimës edhe kur një pajisje tjetër ka fituar qasje në llogari. Për këtë arsye, kontrollimi i pajisjeve të lidhura është një hap i rëndësishëm për sigurinë e përdoruesve./Telegrafi/




