Vendimin e ka bërë të ditur komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, gjatë komunikimit me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, në vendin ku ishte planifikuar të vendosej murali.
Balaj ka thënë se Policia e ka pranuar zyrtarisht vendimin e Prokurorisë për ndalimin e punimeve, për shkak të kontestit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike.

“E pranuam zyrtarisht vendimin prej Prokurorit të Shtetit që, deri në një vendim të gjykatës, të mos lejohen zhvillimet e punimeve për shkak të problematikave mes dy palëve, mes Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës”, ka thënë Balaj.
Ai ka bërë të ditur se nuk ka autorizim për publikimin e dokumentit, ndërsa mediat i ka udhëzuar që për përmbajtjen e tij t’i drejtohen Prokurorisë.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vënë në pikëpyetje përfshirjen e ministrisë si palë në këtë çështje. Ai ka thënë se objekti ku ishte planifikuar vendosja e muralit nuk është pronë e ministrisë dhe se Komuna ka vepruar në bazë të vendimeve dhe pëlqimeve të institucioneve komunale.
“Cilat dy palë? Ministria nuk është palë këtu. Prokurori paska marrë një vendim, një vendim që është marrë prej asamblistëve, me të gjitha lejet, me të gjitha të drejtat si qeverisje, është bllokuar tash sepse ka kontest mes dy palëve. Pse ministria është palë? Ky objekt s’është pronë e ministrisë, është e Komunës”, ka deklaruar Rama.
Mosmarrëveshjet për vendosjen e muralit u shfaqën pasi Ministria e Ekonomisë kundërshtoi ndërhyrjen në objekt. Sipas ministrisë, Komuna kishte dhënë pëlqim për punime në një hapësirë që nuk është nën menaxhimin e saj, pa marrë paraprakisht autorizimin apo konsultuar institucionet përgjegjëse.
Vendosja e muralit ishte miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, ndërsa për realizimin e projektit Komuna ka ndarë 15 mijë euro.
Burimi: RTKLive





