Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë zjarri të modifikuar dhe rreth 300 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, gjatë një kontrolli në një vendbanim në fshatin Dubovë e Madhe të Pejës.

Policia tha se kontrolli është realizuar sot rreth mesditës gjatë një pune hetimore-operative të Stacionit Policor në Pejë, me mbështetjen e njësitit të NJRSH-së.
“Gjatë kontrollit, në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar: Një armë zjarri, pistoletë e modifikuar, Një karikator dhe tre (3) copë fishekë, rreth 300 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë (një pjesë e paketuar në qese të vogla), një peshore dhe disa qese që dyshohet se përdoreshin për paketimin e substancës narkotike”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se personi i dyshuar është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar.
“Lidhur me rastin, personi i dyshuar është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin policor, ku pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet policore dhe hetimore janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.




