Policia e Kosovës ka hartuar një plan të veçantë operativ për mbarëvajtjen e ndeshjes ndërkombëtare në futboll ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e cila zhvillohet sot në orën 15:00 në Prishtinë.
Në kuadër të këtij plani, policia ka ndërmarrë masa të shtuara sigurie që nga ardhja e ekipit izraelit në Kosovë, duke përfshirë përcjelljen dhe sigurimin e lojtarëve dhe stafit të tij gjatë lëvizjeve në vend.

Masat e sigurisë do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa Policia ka paralajmëruar se gjatë lëvizjes së eskortës mund të ketë kufizime apo ndërprerje të përkohshme të trafikut rrugor.
Për këtë arsye, qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik u është kërkuar mirëkuptim.
Policia ka bërë të ditur se aktivitetet do të zhvillohen në koordinim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), me synimin e garantimit të sigurisë para, gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes.
Ndërkaq, tifozëve u është bërë thirrje që të paraqiten me kohë në stadium, të mos marrin me vete gjësende të palejuara apo mjete të rrezikshme, si dhe të kenë biletat dhe dokumentet identifikuese gjatë hyrjes në stadium.
Policia ka theksuar se do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e incidenteve të mundshme, në bashkëpunim me FFK-në dhe kompanitë e angazhuara për siguri.
Burimi: Dukagjini





