Gazeta Sinjali ka mësuar se vendimin për ndalimin e 59-vjeçarit Hashim Miftari, pasi lopa e tij hyri në oborrin e Degës së Gjykatës Themelore në Graçanicë dhe dëmtoi një pjesë të gjelbërimit, e ka marrë prokurori Blerim Igrishta i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ngjarja ndodhi të premten, më 13 nëntor, ndërsa ndaj Miftarit është iniciuar rast për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, sipas nenit 321 të Kodit Penal.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, prokurori ka urdhëruar që 59-vjeçari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.
Rasti është bërë edhe më i diskutueshëm për shkak të rrethanave që janë përshkruar në deklaratën e gjyqtarit Sinisha Borisavljeviq, i cili ishte në mesin e personave të intervistuar nga Policia.
Sipas deklarimit të tij, punonjësit e sigurimit i kishin larguar kafshët nga oborri tri deri në katër herë gjatë asaj dite, ndërsa raste të ngjashme kishin ndodhur edhe më herët. Ai ka treguar se në oborrin e Gjykatës kishin hyrë më parë edhe rreth 15 dhi.
Gjyqtari ka deklaruar se do t’ia dorëzojë Policisë edhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të rastit.
Por, një detaj i rëndësishëm në deklaratën e tij është se dëmi i shkaktuar në gjelbërimin e oborrit ishte minimal. Sipas tij, qëllimi i thirrjes së Policisë ishte që pronarit t’i tërhiqej vëmendja për kujdesin ndaj kafshëve.
Ndërkaq, Hashim Miftari, në deklaratën e dhënë vullnetarisht në Polici, ka thënë se lopën e kishte humbur dhe se kjo ishte hera e parë që kafsha kishte hyrë në oborrin e Gjykatës.
Megjithatë, pas intervistimit të palëve, rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku është marrë vendimi për ndalimin e 59-vjeçarit për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





