Një kontroll policor në lokalin “Ma Cherie” në Mitrovicën e Veriut ka përfunduar me zbulimin e substancave të dyshuara narkotike, të cilat ishin gjetur në dy vende të ndryshme brenda lokalit – në një kavanoz dhe në koshin e mbeturinave.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se kontrolli është zhvilluar të premten, më 30 tetor, rreth orës 20:40, në lokalin që ndodhet në rrugën “Isa Boletini”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, njësitë policore kanë kryer kontrolle në ambientet e lokalit, ku kanë hasur në substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Ajo që e veçon këtë rast është vendi ku janë gjetur substancat: një pjesë në kavanoz, ndërsa pjesa tjetër në koshin e mbeturinave.
Sasia e përgjithshme e marihuanës së dyshuar është 2.52 gramë.
Pas gjetjes së substancave, për rastin janë angazhuar hetuesit policorë, ndërsa është vendosur inicimi i procedurës për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Ende nuk është identifikuar personi të cilit i përkiste substanca e gjetur, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetim.
Autoritetet po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e personit apo personave që mund të lidhen me substancën e sekuestruar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




