Policia e Kosovës ka identifikuar dy persona të dyshuar për përfshirje në dy grabitje të armatosura në argjendari në qytetin e Gjakovës, të ndodhura më 5 dhe 16 nëntor.

Sipas njoftimit të Policisë, grabitja e parë kishte ndodhur më 5 nëntor, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur, nën kërcënimin e armës, i kishin marrë pronarit të argjendarisë një sasi ari dhe para të gatshme.
Sipas deklarimit të ankuesit, vlera e arit të grabitur ishte rreth 30 mijë euro, ndërsa paratë e gatshme rreth 2 mijë euro.
Rasti i dytë ishte regjistruar më 16 nëntor, rreth orës 16:50, në rrugën “Izet Hima”, po ashtu në një argjendari.
Në këtë rast, dy të dyshuarit kishin qenë të maskuar dhe të armatosur. Njëri dyshohet se kishte pasur një armë të gjatë, që besohet të ishte e tipit AK-47, ndërsa tjetri një çekan.
Pasi kishin hyrë në argjendari, ata kishin kërcënuar personat e pranishëm. Njëri prej tyre ishte afruar te raftet ku ekspozohej ari, ndërsa tjetri kishte thyer me çekan xhamin e vitrinës dhe kishte marrë një sasi stolish, kryesisht zinxhirë.
Gjatë grabitjes, njëri nga viktimat kishte tentuar t’ia merrte armën e gjatë të dyshuarit, por ky i fundit kishte shtënë me armë zjarri, duke e plagosur atë në këmbën e djathtë.
Pas grabitjes, të dyshuarit ishin larguar në këmbë në drejtim të Sheshit të Çarshisë së Vjetër, ku dyshohet se më pas kishin hipur në një veturë Golf 7, me ngjyrë të bardhë.
Policia bën të ditur se, pas hetimeve dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, më 17 nëntor ka realizuar bastisje në pronën e personit të dyshuar A.U., i lindur në Gjermani dhe me banim në komunën e Deçanit.
Gjatë bastisjes, sipas Policisë, është gjetur vetura që dyshohet se ishte përdorur në grabitje, një armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme parash.
Kontroll është kryer edhe te personi tjetër i dyshuar, L.I., nga komuna e Deçanit, ku gjithashtu janë gjetur prova që ndërlidhen me rastin.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 7 mijë e 330 euro dhe 100 dollarë, një veturë Golf 7, një sasi ari, dy telefona mobilë dhe veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.
Bazuar në provat e siguruara, Policia dyshon se të dy personat janë të përfshirë në të dy rastet e grabitjeve të argjendarive në Gjakovë.
Policia ka bërë të ditur se operacioni është ende në zhvillim dhe se veprimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me Prokurorinë kompetente.
Burimi: Insajderi





