Kreshnik Hajrizi është rikthyer në fushat e blerta pas pesë muajsh mungesë, ndërsa në një intervistë ka rrëfyer vështirësitë e periudhës së gjatë të rikuperimit dhe zbuloi lajmin e veçantë që i dha forcë në momentet më të vështira, pra se do të bëhet baba.

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, i cili luan te Sioni në Zvicër, u rikthye në aksion fundjavën e kaluar në ndeshjen ndaj Cham në Kupën e Zvicrës. Ai kishte munguar që nga 17 maji, për shkak të një inflamacioni në zonën pubike që i shkaktonte dhimbje në muskujt aduktorë, problem që e detyroi t’i nënshtrohej operacionit.
Hajrizi pranoi se rikthimi në fushë ishte një ndjenjë e veçantë, pasi gjatë ndeshjes nuk ndjeu dhimbje në zonën që e kishte mbajtur jashtë fushave për muaj të tërë.
“Ndjeva kënaqësi të jashtëzakonshme. Fakti që nuk ndjeva dhimbje në muskujt aduktorë apo në ijë gjatë ndeshjes dëshmon se puna është bërë mirë. Nuk u nxitova. Përkundrazi, e zgjata edhe për një javë planin e rikuperimit që ishte përcaktuar. Tani muskujt më ndihen shumë mirë dhe nuk kam më probleme. Më duhet vetëm ta rikthej kondicionin fizik”.
Futbollisti kosovar tregoi se vendimi për operacionin nuk ishte i lehtë, veçanërisht pasi vinte pas një sezoni të ngarkuar me klubin dhe Kombëtaren e Kosovës. Ai kujtoi edhe lëndimin e vitit 2023, kur si futbollist i Luganos kishte pësuar një dëmtim në muskujt e pasmë të kofshës.
“Kur isha në atë dhomë në Bordo me mjekun dhe fizioterapistin, dhe më thanë se operacioni ishte zgjidhja më e mirë, e përjetova përsëri në mendje të gjithë sezonin. Menjëherë fillova të mendoja për tre apo katër muajt që më prisnin. Ishte e vështirë, shumë e vështirë. Pati edhe lot, sepse e kuptova se ishte hera e dytë që lëndohesha pikërisht kur isha në formën time më të mirë”.
Përveç mbështetjes nga familja dhe klubi, Hajrizi zbuloi se besimi në Zot dhe dashuria për futbollin e ndihmuan të përballonte periudhën e vështirë. Megjithatë, ishte një lajm i veçantë që i dha motivimin më të madh për të mos u dorëzuar.
“Një javë para operacionit, kuptova se do të bëhesha baba. Kur gjërat nuk po shkonin mirë, i thosha vetes se nuk mund të dorëzohesha, sepse së shpejti në shtëpi do të ishim tre persona”.
Ai pranoi se përvoja e shikimit të ekografisë së foshnjës së tij ishte një motivim i jashtëzakonshëm gjatë rikuperimit.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do ta shikoja ekografinë së bashku me bashkëshorten time. Tani mund t’ju siguroj se kur i sheh imazhet e asaj krijese të vogël që po rritet, kjo të jep një shtysë të jashtëzakonshme. E njëjta gjë ndodh kur monton një mobilie duke e ditur se nuk do të jetë për ty, por për vogëlushin tënd. Thonë se të bëhesh baba e ndryshon një burrë. Kjo ka filluar të ndodhë edhe me mua”.
Pas pesë muajsh larg fushave, rikthimi i tij u shoqërua edhe me duartrokitjet e tifozëve, të cilët brohoritën emrin e tij kur u largua nga loja në ndeshjen ndaj Cham.
“Ma ngrohu zemrën. Tifozët tanë janë gjithmonë aty, si në shtëpi, ashtu edhe në udhëtim. Ta ndjesh dashurinë dhe mbështetjen e tyre, pavarësisht se ku luajmë, është diçka shumë e rëndësishme për ne”, përfundoi Hajrizi.
Kësisoj, rikthimi i Hajrizit është lajm i shkëlqyer për Kosovën duke qenë se mbrojtësi Albian Hajdari pritet të mungojë për ndeshjet e nëntorit./Telegrafi/




