Imigracioni ka qenë një nga çështjet kryesore të agjendës politike të presidentit amerikan, Donald Trump, që nga fushata e tij e parë presidenciale në vitin 2015. Në fushatën e vitit 2024, ai premtoi mbylljen e kufirit dhe deportime masive, premtime që, sipas BBC-së, janë zbatuar në masë të madhe gjatë mandatit të tij të dytë.
Përpjekjet e Trumpit për të kufizuar imigracionin gjatë mandatit të parë u përballën me pengesa ligjore. Ndërsa në mandatin e dytë, administrata e tij ka pasur më shumë hapësirë për të zbatuar politikat kufizuese, e mbështetur edhe nga dhjetëra miliarda dollarë fonde shtesë të miratuara nga Kongresi për zbatimin e ligjeve të imigracionit, raporton BBC.

Megjithatë, ndërsa zgjedhjet e mesmandatit në SHBA po afrohen, politikat e imigracionit mbeten një çështje e rëndësishme për votuesit. Edhe mes atyre që mbështesin kontrolle më të rrepta kufitare, ka shqetësime se masat e administratës kanë shkuar tepër larg.
Sipas BBC-së, politika e Trumpit për imigracionin është reflektuar në pesë fusha kryesore.
- Kufiri jugor është pothuajse i mbyllur
Gjatë presidencës së Joe Bidenit, kalimet në kufirin jugor të SHBA-së u rritën ndjeshëm. Vetëm gjatë viteve 2023 dhe 2024 u regjistruan më shumë se 4.5 milionë raste të takimit të autoriteteve me migrantë në kufirin me Meksikën.
Administrata Biden arriti më vonë t’i ulte ndjeshëm shifrat mujore, duke kufizuar mundësitë për të kërkuar azil dhe duke larguar migrantët që hynin në mënyrë të paligjshme në SHBA pa iu nënshtruar procedurave të rregullta.
Pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, numri i kalimeve ra edhe më tej, ndërsa rastet e regjistruara në kufi shënuan rënie të theksuar.
Deri në fund të vitit të parë të mandatit të dytë të Trumpit, skenat e kampeve të improvizuara dhe grumbullimeve të migrantëve, që kishin tërhequr vëmendje ndërkombëtare gjatë administratës Biden, ishin zhdukur kryesisht.
Gjatë një vizite në qytetin kufitar El Paso, në Teksas, në nëntor 2025, BBC-ja raportoi se rrugët ishin të qeta, aty ku më parë kishte pasur kampe të përkohshme me mijëra migrantë që ishin lejuar të qëndronin në SHBA në pritje të procedurave të imigracionit.
Për të arritur atë që administrata e tij e përshkruan si kufirin më të sigurt në historinë e SHBA-së, Trumpi ka ndërmarrë disa masa, përfshirë kufizimin e kërkesave për azil në kufi, përfundimin e praktikës së lirimit të migrantëve në pritje të procedurave, dërgimin e trupave ushtarake në kufi dhe ushtrimin e presionit ndaj Meksikës për të frenuar lëvizjen e migrantëve drejt veriut.
“Presidenti Trump u premtoi amerikanëve një kufi të sigurt dhe të dhënat dëshmojnë se ai e mbajti premtimin”, deklaroi më 16 tetor sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin.
- Përshpejtohet ndërtimi i murit kufitar
Ndërtimi i një muri përgjatë kufirit prej afro 3.218 kilometrash mes SHBA-së dhe Meksikës ishte një nga premtimet kryesore të Trumpit gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.
Projekti është përshpejtuar gjatë mandatit të dytë, pas ndarjes së 46.5 miliardë dollarëve nga ligji i shpenzimeve i administratës Trump, i njohur si “One Big Beautiful Bill”.
Sipas të dhënave qeveritare, para rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, përgjatë kufirit ekzistonin rreth 644 milje (1.036 kilometra) mur kryesor, më afër vijës kufitare, si dhe 75 milje (rreth 121 kilometra) mur dytësor, i vendosur më në brendësi të territorit amerikan.
Që atëherë, janë përfunduar edhe 250 milje (rreth 402 kilometra) barriera të reja, përfshirë mure kryesore e dytësore dhe barriera ujore, si dhe teknologji për zbulimin e kalimeve të paligjshme.
Ndërkohë, 1.443 milje (rreth 2.322 kilometra) barriera të tjera janë në ndërtim e sipër.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se është e nevojshme të bëhet dallimi mes ndërtimit të barrierave të reja dhe përmirësimit apo modernizimit të strukturave ekzistuese. Po ashtu, mbetet objekt debati ndikimi i drejtpërdrejtë i murit në uljen e numrit të migrantëve.
- Rriten ndalimet dhe deportimet
Një pjesë e madhe e vëmendjes ndaj politikave të Trumpit për imigracionin është përqendruar në operacionet brenda territorit amerikan.
Agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) kanë zhvilluar aksione për arrestimin e personave që autoritetet i konsiderojnë si qëndrues të paligjshëm në SHBA. Operacionet kanë shkaktuar reagime dhe protesta në qytete të ndryshme të vendit.
Gjatë fushatës, Trumpi premtoi nisjen e menjëhershme të asaj që e cilësoi si “operacioni më i madh i deportimit në historinë amerikane”. Zyrtarët kishin deklaruar se fillimisht në shënjestër do të ishin personat që kishin kryer vepra penale.
Sipas të dhënave të siguruara nga Deportation Data Project, një projekt kërkimor i lidhur me Universitetin e Kalifornisë në Berkeley dhe Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, arrestimet dhe ndalimet në qendrat e imigracionit janë rritur ndjeshëm pas rikthimit të Trumpit në pushtet.
Të dhënat tregojnë se në korrik të vitit 2026 u regjistrua një rekord prej afro 50 mijë personash të ndaluar.
- Ulet ndjeshëm numri i refugjatëve të pranuar
Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi pezulloi pothuajse menjëherë pranimin e refugjatëve, duke argumentuar se ky proces mund të rifillonte vetëm nëse vlerësohej se ishte në interes të SHBA-së.
Në shkurt, përmes një urdhri ekzekutiv, administrata hapi në mënyrë të kufizuar procesin e pranimit për afrikanerët nga Afrika e Jugut. Shtëpia e Bardhë ka pretenduar vazhdimisht se kjo kategori përballet me vrasje dhe përndjekje, akuza që janë mohuar nga qeveria e Afrikës së Jugut.
Kuota fillestare për pranimin e refugjatëve në vitin fiskal 2026 ishte 7.500 persona. Në maj, ajo u rrit në 17.500, për shkak të asaj që administrata e përshkroi si një situatë të paparashikuar emergjente me refugjatët.
Megjithatë, numri i përgjithshëm i pranimeve mbeti shumë i ulët. Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Shtetit, gjatë vitit fiskal 2026 në SHBA u pranuan 16.292 refugjatë, prej të cilëve 16.287 ishin nga Afrika e Jugut.
- Kufizohen vizat dhe vendoset tarifë prej 100 mijë dollarësh për disa viza pune
Kufizimet e administratës Trump janë shtrirë edhe në rrugët ligjore për të jetuar dhe punuar në SHBA.
Dhjetëra shtete, të cilat administrata i ka cilësuar si rrezik për sigurinë, janë përballur me pezullime të plota ose të pjesshme të vizave dhe udhëtimeve. Kontrollet më të rrepta dhe rregullat e reja për aplikimin për leje të përhershme qëndrimi kanë ngadalësuar gjithashtu disa procedura.
Në shtator të vitit 2025, administrata vendosi një tarifë prej 100 mijë dollarësh për aplikimet e reja për viza H-1B, të cilat përdoren nga punëtorët e kualifikuar të huaj, veçanërisht në sektorin e teknologjisë. Një pjesë e madhe e përfituesve të këtyre vizave janë shtetas indianë.
Në maj të vitit 2026, Shërbimi amerikan për Shtetësi dhe Imigracion (USCIS) njoftoi se regjistrimet për programin e vitit 2027 kishin rënë me 40 për qind.
Sipas këtij institucioni, rënia tregon se masat e reja po kufizojnë regjistrimet masive me paga të ulëta dhe po synojnë që programi të shërbejë më mirë për tërheqjen e punëtorëve shumë të kualifikuar, duke mbrojtur njëkohësisht pagat, kushtet e punës dhe mundësitë e punësimit për amerikanët.
Burimi: Dukagjini




