Ligjvënësit demokratë në SHBA kanë kritikuar ashpër të martën ushtruesin e detyrës së sekretarit të Marinës Amerikane, Hung Cao, duke e akuzuar se po mbështet pa rezerva presidentin Donald Trump lidhur me luftën me Iranin dhe po minimizon ndikimin e saj në shëndetin mendor të marinarëve.

Seanca dëgjimore në Senatin amerikan u shoqërua me debate të ashpra, veçanërisht pas raportimeve për tetë tentativa vetëvrasjeje në një aeroplanmbajtëse amerikane, transmeton klankosova.tv
Seanca mund të jetë një paralajmërim për përplasjet e ardhshme politike, pasi demokratët pritet të marrin kontrollin e Senatit në janar, pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit në fillim të këtij muaji.
Hung Cao, i cili synon të marrë konfirmimin e Senatit për të vazhduar në këtë detyrë, nuk iu përgjigj drejtpërdrejt disa prej pyetjeve më të vështira të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit lidhur me luftën me Iranin.
Sipas Reuters, pyetjet përfshinin kostot e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit dhe dëmet e shkaktuara në selinë e Marinës Amerikane në Lindjen e Mesme pas sulmeve iraniane.
Megjithatë, kritikat më të ashpra ndaj tij erdhën për shkak të mbrojtjes që i bëri kushteve në bordin e grupit luftarak të aeroplanmbajtëses “Abraham Lincoln” dhe vlerësimit pozitiv për mënyrën se si Marina po përballet me krizën e shëndetit mendor.
Përplasje për shëndetin mendor të marinarëve
Senatorja demokrate nga Nju Jorku, Kirsten Gillibrand, e pyeti Cao-n për një marinar që kishte përfunduar në det pasi ishte hedhur nga anija.
“Senatore, ai marinar nuk po përpiqej të vriste veten dhe këtë e ka pranuar edhe vetë”, u përgjigj Cao, duke shtuar se marinarit i ishte dhënë një jelek shpëtimi.
Gillibrand reagoi me ironi: “Çfarë po përpiqej të bënte atëherë? Të notonte deri në Guam?”
Më pas, ajo e kritikoi Cao-n për minimizimin e presionit psikologjik me të cilin përballen pjesëtarët e ushtrisë.
“Unë mendoj se ju po e minimizoni ngarkesën që shkakton stresi mendor te këta pjesëtarë të shërbimit ushtarak”, deklaroi ajo, duke e cilësuar përgjigjen e tij si “çnjerëzore” dhe “të pamjaftueshme”.





