Një debat i tensionuar ka ndodhur në Kuvend mes Dimal Bashës dhe shefit të deputetëve të PDK-së, Arian Tahirit.

Basha i është drejtuar opozitës duke e fajësuar se, sipas tij, ka penguar dhe ka sulmuar kryeministrin Albin Kurti rreth politikave për veriun e vendit.
Sipas Bashës, opozita ka dështuar të mbështesë ekzekutivin madje edhe në periudhat kur Bashkimi Evropian ka vendosur masa sanksionuese ndaj vendit.
“Pikërisht këtë betejë të Kryeministrit për çlirimin e Veriut, ju e keni sulmuar vazhdimisht fatkeqësisht. Kur BE-ja na vendosi masa ndëshkuese ju në vend se me mbështet Kryeministrin ju bashkuat sulmeve të Qeverisë. Edhe sot në këtë Kuvend dëgjova duke na akuzuar pse kemi qenë nën sanksione. Nuk tregojnë se sanksionet kanë qenë për shkak se Kryeministri insistonte në ligjshmërinë në atë pjesë të vendit që sot, pra ka sjellë Veriun nën kontroll dhe siguri të plotë. Pra, kjo tregon që të kishin qenë në pushtet dyshoj se kish ndërru gjendja atje”, ka deklaruar ministri.
Pas kësaj deklarate, Tahiri, i është kundërpërgjigjur duke ia rikujtuar Bashës qëndrimet e tij të mëparshme dhe punimin akademik ku u ngritën pretendime të tmerrshme kundrejt UÇK-së.
“Tha që është pengu Albin Kurti kur ai ka luftu, e ka kundërshtu Vuçiçin. Është një deklaratë shumë e ulët e tij. Çka i bjen kjo? Kjo i bjen që dikush ka qenë me Vuçiçin kundër shtetit të Kosovës. Kush e tha këtë? Këtë e tha Ministri i Republikës së Kosovës. Përveç që është ministër, është edhe dikush që ka ba punim shkencor edhe e ka kategorizu UÇK-në si organizatë terroriste e kriminale. Domethanë për këtë arsye konsideroj që nuk duhet me leju, me u njollos edhe institucionet e Kosovës edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Tahiri.
Burimi: Insajderi





