Barcelona dhe Real Madridi iu qasën afatit kalimtar të verës me strategji krejtësisht të ndryshme financiare, veçanërisht sa i përket përforcimit të krahëve të sulmit.

Derisa Deco zgjodhi një marrëveshje relativisht ekonomike për ta transferuar Karim Adeyemin në “Spotify Camp Nou”, Real Madridi bëri një investim dukshëm më të madh për të siguruar shërbimet e Yan Diomandes.
Megjithatë, statistikat e para të sezonit 2026/27 sugjerojnë se qasja e Barcelonës po jep rezultate inkurajuese, pasi të dy anësorët kanë realizuar nga katër gola, pavarësisht diferencës së madhe në vlerën e transferimeve të tyre.
Duhet theksuar se Barcelona i pagoi Borussia Dortmundit 22 milionë euro për Adeyemin, ndërsa marrëveshja përfshin edhe shtatë milionë euro të tjera në formë bonusesh, të kushtëzuara nga paraqitjet dhe arritjet e futbollistit.
Ishte një lëvizje e zgjuar e Barcelonës, duke pasur parasysh se kontrata e gjermanit me Dortmundin skadonte në vitin 2027.
Për shkak se klubi gjerman nuk dëshironte ta humbiste atë si lojtar të lirë, vendosi të negociojë me katalunasit, duke arritur një marrëveshje që mund të shkojë deri në 29 milionë euro.
Në anën tjetër, Real Madridi investoi 125 milionë euro për transferimin e Diomandes nga RB Leipzig, me mundësinë e pagesës së 15 milionë eurove të tjera në formë bonusesh.
Diferenca në shumën e garantuar të investimit është plot 103 milionë euro, duke e bërë krahasimin e paraqitjeve të tyre një tregues interesant të strategjive të dy gjigantëve spanjollë në merkato.
Ajo që e bën edhe më interesante këtë situatë është fakti se Adeyemi ka realizuar po aq gola sa Diomande, ndonëse ka kaluar dukshëm më pak kohë në fushën e lojës.
Sezoni është ende në fazat e tij të hershme, por kontributi i gjermanit jep një sinjal inkurajues për vlerën që Barcelona mund të ketë përfituar nga përforcimi i saj gjatë verës.
Dallimi më i madh mes dy futbollistëve vërehet kur merret parasysh koha e kaluar në fushë.
Adeyemi ka shënuar katër gola në 15 paraqitje, duke grumbulluar gjithsej 546 minuta lojë. Edhe Diomande ka realizuar katër gola, por atij i janë dashur 16 paraqitje dhe 892 minuta për ta arritur këtë bilanc.
Me fjalë të tjera, anësorit të Barcelonës i nevojiten mesatarisht rreth 136 minuta për të shënuar një gol, ndërsa futbollistit të Real Madridit 223 minuta.
Krahasimi bëhet edhe më interesant kur përfshihen asistimet. Diomande aktualisht prin në këtë kategori me katër asistime, ndërsa Adeyemi ka regjistruar tri.
Megjithatë, produktiviteti i Adeyemit meriton vëmendje të veçantë, duke pasur parasysh minutat e kufizuara që ka marrë deri më tani.
Aftësia e tij për të ndikuar në ndeshje, pavarësisht se është zgjedhje e dytë pas një tjetër përforcimi të verës, Anthony Gordon, paraqet një vlerë të rëndësishme për Barcelonën, sidomos gjatë një sezoni të ngarkuar me angazhime në garat vendore dhe evropiane.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se numri i paraqitjeve dhe minutave nuk e tregon të gjithë historinë.
Pozita nga e cila nisin ndeshjet, përgjegjësitë taktike dhe niveli i kundërshtarëve ndikojnë në statistikat e një anësori.
Krahasimi mes Adeyemit dhe Diomandes nuk kufizohet vetëm te golat dhe asistimet. Edhe statistikat e tyre përqindore në sezonin 2026/27 japin një pasqyrë tjetër për mënyrën se si kontribuojnë në fazën sulmuese.
Adeyemi regjistron një përqindje mbresëlënëse prej 99.8 në kategorinë e golave të pritur pa penallti plus asistimeve të pritura (npxG+xA), krahasuar me 25.9 të Diomandes.
Gjermani ka epërsi të konsiderueshme edhe në pasimet kyçe, ku regjistron përqindjen 91.3, kundrejt 21.9 të anësorit të Real Madridit. Sa u përket asistimeve, Adeyemi prin me 84.1, ndërsa Diomande ka 69.4.
Këto shifra sugjerojnë se Adeyemi ka qenë më efektiv në situatat që çojnë drejtpërdrejt te golat. Lëvizjet e tij, aftësia për të gjetur pozicione të rrezikshme dhe kontributi në kombinimet sulmuese e kanë ndihmuar të ketë një bilanc mbresëlënës ofensiv.
Megjithatë, Diomande ka cilësi të tjera që nuk duhen anashkaluar. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë regjistron përqindjen 97.5 në driblime të suksesshme, dukshëm më shumë se Adeyemi me 90.3.
Ai gjithashtu paraqitet më mirë në bartjen progresive të topit dhe harkimet e kompletuara, duke dëshmuar aftësinë për ta avancuar lojën, për t’i kaluar kundërshtarët dhe për të krijuar raste nga krahët.
Diferenca financiare mes dy transferimeve pashmangshëm e vendos Diomanden nën më shumë vëmendje, pasi investimi prej 125 milionë eurosh për një anësor 19-vjeçar krijon pritshmëri të jashtëzakonshme.
Kjo nënkupton se Real Madridi do të kërkojë që investimi i tij të japë rezultate të qëndrueshme gjatë gjithë sezonit.
Megjithatë, do të ishte ende herët që transferimi i tij të gjykohet pas vetëm disa muajsh.
Diomande është vetëm 19-vjeçar dhe ende po përshtatet me ambientin e ri. Aftësia e tij për ta bartur topin, për t’i kaluar kundërshtarët dhe për të krijuar mundësi shënimi dëshmon se ai posedon cilësi që mund të bëhen gjithnjë e më të vlefshme në të ardhmen.
Situata e Barcelonës është ndryshe. Adeyemi mbërriti për një shumë dukshëm më të vogël dhe kontributi i tij i hershëm sugjeron se Deco mund të ketë identifikuar një mundësi të mirë për ta përforcuar repartin ofensiv, pa shpenzuar një pjesë të madhe të buxhetit të klubit.
Në fund të fundit, ende ka shumë kohë deri në vlerësimin përfundimtar të këtyre dy transferimeve. Konsistenca, gjendja fizike, paraqitjet në ndeshjet e rëndësishme dhe kontributi ndaj kundërshtarëve më të fortë do të përcaktojnë vlerën e vërtetë të secilit prej tyre.
Burimi: Insajderi





