Kërkesat për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe kundër vrasjes së grave do të vazhdojnë edhe sot në Prishtinë, ku është paralajmëruar protesta kombëtare kundër femicidit.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta do të mbahet nga ora 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke ftuar qytetarët që t’i bashkohen thirrjes për protestë.
Kjo protestë vjen pas pesë ditësh radhazi të protestave, gjatë të cilave qytetarët kanë dalë në rrugë për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e saj.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Rasti ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht pas raportimeve se ajo kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet për shkak të dhunës dhe kërcënimeve.
Vrasja e saj ka rikthyer në vëmendje edhe një herë shqetësimet për sigurinë e grave, trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe përgjegjësinë e institucioneve për parandalimin e femicidit.
Përmes protestës së sotme, organizatorët synojnë të vazhdojnë mobilizimin qytetar kundër dhunës ndaj grave dhe të kërkojnë drejtësi për viktimat.
Protesta do të nisë në orën 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. /Telegrafi/




