Në Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit për Krimet ndaj Gazetarëve, Mbretëria e Bashkuar ka shprehur mbështetjen për gazetarët në Kosovë dhe në mbarë botën.

Përmes një mesazhi, ambasada britanike ka theksuar se asnjë gazetar nuk duhet të përballet me kërcënime, dhunë apo ngacmime për shkak të punës së tij.
“Britania e Madhe qëndron përkrah gazetarëve në Kosovë dhe në mbarë botën. Asnjë gazetar nuk duhet të përballet me kërcënime, dhunë apo ngacmime për shkak të kryerjes së detyrës së tij”, thuhet në mesazh, transmeton Klankosova.tv.
Gjithashtu, është kërkuar që kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve të hetohen dhe përgjegjësit të mbahen para drejtësisë.
“Gazetarët duhet të jenë të lirë të raportojnë, të hetojnë dhe të kërkojnë llogaridhënie nga pushteti pa pasur frikë”, thuhet më tej në reagim.
Sipas Mbretërisë së Bashkuar, dhënia fund e mosndëshkimit për krimet ndaj gazetarëve është thelbësore për mbrojtjen e lirisë së medias dhe garantimin e së drejtës së publikut për informim të pavarur.




