“Për të drejtat s’ka pazar”: Fjalimi i fortë i Shaip Kamberit në Kuvendin e Serbisë

“Për të drejtat s’ka pazar”: Fjalimi i fortë i Shaip Kamberit në Kuvendin e Serbisë

“Për të drejtat s’ka pazar”: Fjalimi i fortë i Shaip Kamberit në Kuvendin e Serbisë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka lëshuar një deklaratë të prerë nga foltorja e parlamentit serb, duke theksuar se për barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk mund të ketë kurrfarë negociatash apo kompromisesh parimore.

Sponsor 3M Express

Në fjalimin e tij drejtuar përbërjes së re parlamentare, Kamberi ka bërë të qartë se gatishmëria e përfaqësuesve shqiptarë për partneritet dhe dialog politik nuk nënkupton kurrsesi konformizëm apo heqje dorë nga kërkesat e kahmotshme të kësaj treve, të cilat mbeten të pazgjidhura prej më shumë se 36 vjetësh.

Çështjet jetike që presin zgjidhje

Kamberi ka renditur sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet popullata shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar hapa konkretë nga pushteti i ri në Beograd:

Përfaqësimi institucional: Përfshirja e shqiptarëve në polici, gjyqësor, administratë shtetërore dhe shërbime publike.

Diplomat dhe ekonomia: Zgjidhja e problemit të njohjes së diplomave universitare të marra në Kosovë, si dhe investime serioze ekonomike për rajonin.

Ndalimi i pasivizimit: Ndërprerja e menjëhershme e praktikës diskriminuese të fshirjes së adresave të vendbanimit të shqiptarëve.

Arsimi dhe gjuha: Përmirësimi i arsimit në gjuhën shqipe, sigurimi i teksteve shkollore, respektimi i përdorimit zyrtar të gjuhës dhe zhbllokimi i fondeve të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga Kosova.

Sipas deputetit shqiptar, baza për t’i dhënë fund këtyre problemeve ekziston përmes Planit Shtatëpikësh dhe Planit të Veprimit të vitit 2022, por ajo që ka munguar deri më tani është vullneti politik i institucioneve serbe.

Kritika ndaj qasjes historike të Serbisë

Kamberi nuk ka lënë pa përmendur as qasjen e deritanishme të shtetit serb ndaj shqiptarëve, duke theksuar se për dekada me radhë ata janë parë përmes lenteve të paragjykimeve të sigurisë dhe dyshimeve politike.

“Shumë shpesh janë trajtuar si të padëshiruar, si një problem që duhet kontrolluar, madje edhe si një lloj ‘armiku i përhershëm’,” u shpreh ai nga foltorja e Kuvendit.

Qëndrimi ndaj shumicës së re: Veprime, jo fjalë

Megjithëse ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim politik me shumicën e re parlamentare për çështje që çojnë drejt demokratizimit të vendit dhe integrimit evropian, Kamberi ka vënë vijën e kuqe. Ai ka theksuar se pozicioni i përfaqësuesve shqiptarë do të varet tërësisht nga veprimet konkrete në terren, e jo nga fjalët apo etiketimet.

“Për mënyrën, dinamikën dhe mekanizmat institucionalë të zgjidhjes së problemeve mund të bisedojmë. Por për vetë të drejtën e barazisë nuk mund të negociojmë,” u shpreh ai.

Në fund, Kamberi ka përsëritur se misioni i tyre në parlament nuk është sigurimi i karrigeve apo posteve në pushtet, por lufta e pandërprerë për vendin dhe të drejtat e shqiptarëve në institucionet e Serbisë.

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Policia paralajmëron për mashtrimet me SMS: Kërkesat për përditësimin e të dhënave bankare, më të shpeshtat

Policia paralajmëron për mashtrimet me SMS: Kërkesat për përditësimin e të dhënave bankare, më të shpeshtat

Janevska: Për optimizimin dhe mësimin me një ndërrim kemi mbështetjen e UNICEF-it

Janevska: Për optimizimin dhe mësimin me një ndërrim kemi mbështetjen e UNICEF-it

Putini u poshtërua në mënyrë elegante në Kinë

Putini u poshtërua në mënyrë elegante në Kinë