Aleanca ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë, duke ngritur shqetësime për deficitin e lartë tregtar dhe mungesën e mbështetjes për prodhuesit vendorë.

Përmes një postimi, ky subjekt ka bërë të ditur se për çdo 1 euro mallra që Kosova eksporton, importon 7,5 euro nga jashtë.
Sipas të dhënave të prezantuara nga kjo parti, gjatë vitit 2025, Kosova ka importuar 6,1 miliardë euro më shumë sesa ka eksportuar.
Aleanca ka theksuar se fermerët dhe prodhuesit vendorë vazhdojnë të përballen me kosto të larta dhe mbështetje të pamjaftueshme, ndërsa ka kritikuar Qeverinë për fokusimin në të hyrat e mbledhura nga qytetarët, pa adresuar mjaftueshëm problemet e prodhimit vendor.
Në këtë drejtim, Aleanca ka prezantuar disa nga propozimet e saj, përfshirë mbështetjen e prodhimit vendas përmes energjisë së prodhuar në vend, furnizimit me gaz amerikan, krijimit të kapaciteteve të reja, heqjes së tatimit në pronë për fermerët dhe lehtësimit të barrës së TVSH-së për bizneset e vogla.
“Paratë e qytetarëve duhet të kthehen në punë e mirëqenie për familjet tona”, thuhet në reagimin e tyre. /Telegrafi/




