Pep Guardiola ka thyer heshtjen për vendimin e tij për të refuzuar mundësinë për të drejtuar Italinë, duke pranuar se ndihej i “turpëruar” që u tha jo Azzurrëve.

Në korrik, pasi Italia humbi kualifikimin për në Kupën e Botës për herë të tretë radhazi, federata italiane (FIGC) dërgoi Paolo Maldinin dhe Leonardon për t’iu afruar Guardiolës. Oferta erdhi menjëherë pasi ai u largua nga Manchester City pas një periudhe 2016–2026 ku fitoi gjashtë tituj të Ligës Premier, tre Kupa FA dhe një trofe të Ligës së Kampionëve.
I rraskapitur nga lodhja, ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munich zgjodhi një pushim të vetëimponuar prej të paktën një viti. Më pas, Italia punësoi Roberto Mancinin, trajnerin fitues të Euro 2020.
Duke folur në Romario TV të martën me legjendën e Brazilit dhe ish-shokun e ekipit të Barcelonës, Romario, Guardiola shpjegoi pse koha e duhur e pengoi transferimin në Itali. Ai gjithashtu konfirmoi dëshirën e tij për t’u bërë trajner i kombëtares, ndërsa këmbënguli se mbetet i kënaqur larg vijës anësore.
“Kjo është hera e parë që flas për këtë, por po, kam folur me ta. Ndihesha në siklet t’i thoja ‘jo’ Italisë, një vendi si Italia, do të kishte qenë një nga nderet më të mëdha të karrierës sime të stërvitja ekipin kombëtar italian. Por e kuptova se duhej të ndalesha. Nëse do të më kishin telefonuar dy vjet më parë, ndoshta do ta kisha pranuar”, ka thënë fillimisht Guardiola.
“Por kur Paolo Maldini dhe Leonardo, të cilët i dua shumë, më kontaktuan, ishte në një pikë ku thjesht duhej të ndalesha. Kisha nevojë për pak kohë për veten time. Pas 18 vitesh si trajner, me ndeshje çdo tre ditë, javë pas jave, vjen një moment kur thjesht duhet të thuash ‘uf'”, përfundoi trajneri spanjoll. /Telegrafi/





