Një pastor nga Florida është shpallur fajtor për disa akuza që lidhen me vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moïse, në vitin 2021.

Christian Emmanuel Sanon, shtetas me dy nënshtetësi, amerikane dhe haitiane, u shpall fajtor për të tetë akuzat ndaj tij, përfshirë komplotin për vrasjen ose rrëmbimin e një personi. Ai rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm.
67-vjeçari akuzohej se kishte marrë pjesë në një plan për të zëvendësuar Moïsen në postin e presidentit të Haitit dhe për të marrë vetë drejtimin e vendit. Sipas prokurorisë, ai synonte që, pasi të vinte në pushtet, t’u jepte kontrata fitimprurëse një kompanie sigurie me bazë në Florida.
Vrasja e Moïses e ka lënë Haitin pa një udhëheqës të qëndrueshëm për pesë vjet. Vakumi politik ka kontribuar në përshkallëzimin e dhunës së bandave në këtë vend të varfër të Karaibeve, transmeton Telegrafi.
Zgjedhjet presidenciale janë planifikuar për vitin e ardhshëm, ndërsa bashkëshortja e presidentit të vrarë, Martine Moïse, e cila u plagos gjatë sulmit ku humbi jetën burri i saj, njoftoi këtë javë se synon të kandidojë.
Sanon u shpall fajtor të mërkurën, pas një gjykimi tetëjavor në një gjykatë federale në Miami, raportoi CBS, partneri amerikan i BBC-së. Avokati i tij tha se klienti vazhdon të këmbëngulë në pafajësinë e tij dhe synon të apelojë vendimin.
Prokurorët deklaruan se Sanon kishte “ambicie politike” në Haiti dhe se në prill të vitit 2021 ishte takuar me disa bashkëpunëtorë për të hartuar një plan për rrëzimin e Moïses përmes një sulmi të armatosur ndaj pallatit presidencial në kryeqytetin Port-au-Prince.
Në mesin e të përfshirëve ishin edhe drejtuesit e kompanive Counter Terrorist Unit Federal Academy dhe Counter Terrorist Unit Security, të njohura së bashku si CTU. Sipas prokurorisë, këto kompani do të financonin grushtin e shtetit në këmbim të kontratave qeveritare për projekte infrastrukturore, si dhe për sigurimin e forcave dhe pajisjeve të sigurisë.
Disa muaj më vonë, bashkëpunëtorët e tjerë kuptuan se Sanon “nuk i plotësonte as kushtet kushtetuese dhe as nuk kishte mbështetjen popullore” për t’u bërë president i Haitit. Për këtë arsye, ata vendosën të mbështesnin një kandidat tjetër, bëri të ditur Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Ndërkohë, sipas hetuesve, plani fillestar për largimin me forcë të Moïses nga pushteti ishte shndërruar në një komplot për vrasjen e tij.
Dhjetëra persona janë përfshirë në këtë komplot, i cili, sipas prokurorëve, përfshinte koordinimin e financimit, dërgimin e armëve dhe rekrutimin e mercenarëve për t’i dërguar në Haiti.
Më 6 korrik të atij viti, një grup mercenarësh kolumbianë hyri në pallatin presidencial dhe vrau Moïsen. Bashkëshortja e tij, e cila gjithashtu u plagos gjatë sulmit, kishte deklaruar në atë kohë se sulmuesit e kishin qëlluar burrin e saj me breshëri plumbash.
Vrasja e presidentit ngriti pikëpyetje në Haiti lidhur me lehtësinë me të cilën mercenarët kishin arritur të depërtonin në rezidencën presidenciale.
Haiti, vendi më i varfër në kontinentin amerikan, është përballur prej vitesh me dhunën e bandave. Megjithatë, vrasja e Moïses shënoi fillimin e një periudhe edhe më të rëndë paqëndrueshmërie, duke fuqizuar grupet kriminale dhe duke çuar në dislokimin e një force shumëkombëshe.
Kjo forcë ka hasur vështirësi në depërtimin në zonat e kontrolluara nga bandat. Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë vitit deri më 11 shtator, më shumë se 5,700 persona janë vrarë ose plagosur në vend.
Sanon dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë u arrestuan nga autoritetet haitiane, ndërsa tre mercenarë u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë. Në shtator, 18 persona u transferuan në Florida për t’u përballur me drejtësinë lidhur me komplotin.
Katër burra, përfshirë drejtuesit e kompanive CTU, ishin shpallur fajtorë për rolin e tyre në këtë çështje në fillim të këtij viti. Sanon ishte paraparë të gjykohej së bashku me ta, por procedura ndaj tij u shty për arsye shëndetësore, sipas CBS.
Sanon kishte lindur në Haiti, por ishte shpërngulur në Shtetet e Bashkuara kur ishte adoleshent. Sipas mediave amerikane, ai i tha gjykatës se kishte punuar në kisha që u shërbenin komuniteteve të emigrantëve haitianë në disa pjesë të SHBA-së, përfshirë Floridën. /Telegrafi/





