Pas Vuçiqit, çfarë e pret Kosovën? Ndryshim i metodës, jo i objektivave të Beogradit

Pas Vuçiqit, çfarë e pret Kosovën? Ndryshim i metodës, jo i objektivave të Beogradit

Pas Vuçiqit, çfarë e pret Kosovën? Ndryshim i metodës, jo i objektivave të Beogradit

Fitorja e Listës Studentore mund ta dobësojë modelin e personalizuar të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, por do të prodhojë një kthesë strategjike të mënjehrshme në politikën e jashtme të Serbisë. Qëndrimet në vazhdimësi ndaj Kosovës, Rusisë dhe NATO-s tregojnë se Beogradi i ri mund të ndryshojë mënyrën e komunikimit me Perëndimin, pa hequr dorë nga objektivat që kanë përcaktuar politikën serbe për më shumë se një dekadë.

Sponsor 3M Express

Për Kosovën, kjo mund të nënkuptojë një dialog me më pak tensione publike, por jo domosdoshmërisht më shumë gatishmëri për normalizim.

Mungesa e një strukture klasike partiake, paqartësitë rreth udhëheqjes së ardhshme dhe përvoja e kufizuar institucionale mund ta bëjnë tranzicionin më të vështirë sesa vetë fushatën zgjedhore. Dhe fitorja e studentëve nuk është vetëm një ndërrim i shumicës parlamentare, ajo është një sfidë ndaj një sistemi ku pushteti politik, institucionet shtetërore, mediat dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë ishin përqendruar në masë të madhe rreth një figure të vetme. Dhe, shpërbërja e këtij modeli nuk nënkupton se bashkë me të do të zhduken edhe interesat që e kanë orientuar politikën e jashtme të Serbisë.

Për Kosovën, rezultati i zgjedhjeve në Serbi duhet lexuar me më shumë kujdes sesa si një mundësi automatike për përmirësimin e marrëdhënieve. Në programin dhe deklarimet e deritanishme të përfaqësuesve të Listës Studentore nuk ka shenja të një ndryshimi thelbësor të qëndrimit ndaj pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, qëndrimi i tyre mbetet i mbështetur në Kushtetutën e Serbisë dhe në kundërshtimin ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në një deklarim pas zgjedhjeve, kandidati i Listës Studentore, Dejan Shoshkiq, iu referua Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke përsëritur qëndrimin zyrtar të Beogradit për Kosovën. Ndërkaq, mes qëndrimeve të pushtetit të vjetër dhe atij të ri nuk shfaqet ndonjë dallim thelbësor për statusin e Kosovës.

Ky është një sinjal që Prishtina nuk duhet ta injorojë. Lëvizja studentore e fitoi betejën politike kryesisht përmes kërkesave për luftimin e korrupsionit, përgjegjësi institucionale dhe reformim të shtetit, e jo përmes një programi për zgjidhjen e çështjes me Kosovën. Prandaj, nuk ka arsye të supozohet se ndryshimi i pushtetit do të prodhojë vetvetiu një ndryshim të politikës së Beogradit ndaj Prishtinës.

Madje, në disa aspekte, qasja e qeverisë së re mund të jetë edhe më e vështirë për t’u parashikuar. Vuçiqi kishte ndërtuar një sistem ku vendimet e rëndësishme politike shpesh përqendroheshin në zyrën e tij, duke i dhënë mundësi të kontrollonte ritmin e negociatave dhe të përcillte mesazhe të ndryshme te Brukseli, Uashingtoni dhe Moska. Një qeveri e re, me përbërje më heterogjene dhe pa një figurë të vetme dominuese, mund të ketë më pak hapësirë për kompromise politike që nuk gëzojnë mbështetje brenda shumicës parlamentare.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për dialogun Kosovë–Serbi. Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se ndryshimi i liderëve nuk i shfuqizon obligimet e marra nga palët dhe se marrëveshjet e arritura, përfshirë Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe aneksin e Ohrit, mbeten pjesë e procesit.

Për Kosovën, testi i parë nuk do të jetë nëse qeveria e re përdor një gjuhë më të moderuar, por nëse është e gatshme të zbatojë marrëveshjet ekzistuese, të heqë dorë nga pengesat ndaj integrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe të pranojë një proces që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve. Deri atëherë, ndryshimi i tonit nuk duhet ngatërruar me ndryshimin e qëndrimit.

KOSOVA

Nëse në raport me Kinën ekziston hapësirë për rishikim të marrëveshjeve ekonomike, në raport me Rusinë kufizimet janë shumë më të mëdha. Beogradi vazhdon të mbështetet te Moska për çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndërsa varësia energjetike dhe lidhjet politike e shoqërore e bëjnë të vështirë një shkëputje të shpejtë.

Deklarimet e para nga përfaqësuesit e Listës Studentore tregojnë se nuk ka një plan për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Jovo Bakiq ka deklaruar se Serbia nuk do të ndryshojë politikën e saj ndaj Moskës, ndërsa qëndrimi për neutralitetin ushtarak dhe kundërshtimin e anëtarësimit në NATO mbetet pjesë e programit të lëvizjes.

Kjo e vendos qeverinë e ardhshme në një pozitë të vështirë përballë Bashkimit Evropian. Brukseli e ka lidhur përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit me harmonizimin e politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së, përfshirë qëndrimin ndaj agresionit rus në Ukrainë. Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar se pa këtë harmonizim përparimi i Serbisë në procesin e integrimit do të jetë shumë i vështirë.

Pra, qeveria e re do të përballet me një zgjedhje që nuk mund ta shmangë për një kohë të gjatë, pra të kërkojë përfitimet ekonomike dhe politike të afrimit me BE-në, ndërkohë që ruan një politikë të jashtme që në disa prej çështjeve më të rëndësishme bie ndesh me qëndrimet e Brukselit.

Megjithatë, nuk duhet nënvlerësuar edhe faktori i brendshëm. Lista Studentore është një lëvizje e gjerë, ku bashkëjetojnë qëndrime të ndryshme politike, përfshirë nacionalistë dhe votues tradicionalisht të afërt me Rusinë. Një vendim për sanksione ndaj Moskës mund të krijonte përçarje në shumicën e re dhe të dobësonte legjitimitetin e qeverisë në një moment kur ajo duhet të dëshmojë se është në gjendje të qeverisë.

Në marrëdhëniet me Kinën mund të ndodhë ndryshimi më i dukshëm. Gjatë qeverisjes së Vuçiqit, bashkëpunimi me Pekinin u shndërrua në një prej shtyllave të politikës së jashtme serbe, duke përfshirë investimet në infrastrukturë, industri, miniera dhe teknologji. Përmes marrëveshjeve ndërqeveritare dhe projekteve të mëdha, kompanitë kineze fituan pozitë të rëndësishme në ekonominë serbe.

Por pikërisht këtu ndodhet edhe një prej problemeve që e sollën lëvizjen studentore në qendër të politikës. Shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona në nëntor 2024, u bë simbol i kërkesave për transparencë, përgjegjësi dhe hetim të kontratave publike. Projekti i rinovimit përfshinte një konsorcium kinez dhe tashmë është pjesë e debatit për përgjegjësinë institucionale dhe mbikëqyrjen e investimeve të huaja.

E lidhur me këtë, Lista Studentore kërkon rishikimin e kontratave dhe shpenzimeve publike, si dhe hetimin e rasteve të korrupsionit që mund të jenë lënë anash gjatë qeverisjes së mëparshme. Kjo e bën të pritshëm një kontroll më të madh edhe mbi projektet e kompanive kineze, sidomos në fushat e prokurimit, standardeve mjedisore dhe kushteve të punës.

Megjithatë, një shkëputje nga Kina nuk është skenar realist në afat të shkurtër. Investimet, marrëveshjet tregtare dhe projektet infrastrukturore janë pjesë e ekonomisë serbe, ndërsa Pekini vazhdon të jetë i rëndësishëm për Beogradin në çështjen e Kosovës. Më e mundshme është që marrëdhënia të kalojë nga një partneritet i ndërtuar kryesisht përmes lidhjeve politike mes liderëve në një bashkëpunim ku qeveria e re kërkon më shumë transparencë dhe kontroll institucional.

Për Kosovën, kjo ka një rëndësi të drejtpërdrejtë. Edhe nëse Beogradi rishikon marrëveshjet ekonomike me Kinën, nuk ka shenja se do të heqë dorë nga mbështetja diplomatike e Pekinit në çështjen e statusit të Kosovës. Përkundrazi, për sa kohë që mosnjohja mbetet objektiv strategjik i Serbisë, Kina do të vazhdojë të ketë rëndësi për diplomacinë e saj.

BASHKIMI EVROPIAN DHE SHBA

Fitorja e Listës Studentore i jep Bashkimit Evropian një mundësi për të rihapur raportet me Beogradin, por edhe e vendos atë përballë një prove të besueshmërisë së politikës së vet ndaj Serbisë. Për vite me radhë, Brukseli ka bashkëpunuar me qeverinë e Vuçiqit, pavarësisht kritikave të ashpra për gjendjen e demokracisë, lirinë e mediave dhe përqendrimin e pushtetit. Tani, mbështetja për qeverinë e re do të duhet të matet me rezultate konkrete në sundimin e ligjit, pavarësinë e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit.

Kjo është edhe arsyeja pse fitorja e studentëve nuk duhet të shihet si një fitore automatike e orientimit proevropian. Lëvizja ka shprehur gatishmëri për vazhdimin e integrimit evropian, por njëkohësisht ruan qëndrimet kundër sanksioneve ndaj Rusisë, kundër anëtarësimit në NATO dhe kundër pavarësisë së Kosovës. Këto kundërthënie do të përcaktojnë kufijtë e afrimit me Perëndimin.

Për Uashingtonin, një qeveri më e orientuar drejt reformave institucionale mund të krijojë mundësi për bashkëpunim më të madh në siguri, energji dhe teknologji. Por edhe SHBA-ja do të përballet me të njëjtën dilemë, si të mbështesë ndryshimin demokratik në Serbi pa e relativizuar rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe pa e lënë të paprekur ndikimin rus në rajon.

Ndikimi i Beogradit nuk kufizohet vetëm në Kosovë. Për vite me radhë, marrëdhëniet e Vuçiqit me udhëheqësit serbë në Bosnjë e Hercegovinë, veçanërisht me Milorad Dodikun, si dhe raportet me Hungarinë e Viktor Orbanit, kanë qenë pjesë e një politike rajonale të ndërtuar mbi aleanca politike dhe interesa të përbashkëta.

Një qeveri e re mund të kërkojë marrëdhënie më pak konfrontuese me fqinjët dhe të mbështetet më shumë në bashkëpunimin institucional. Një qasje e tillë mund të ndikojë në raportet me Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kroacinë. Por edhe këtu, ndryshimi i retorikës duhet të pasohet nga ndryshimi i praktikës politike.

Për Kosovën, kjo është e rëndësishme sepse stabiliteti rajonal nuk varet vetëm nga dialogu dypalësh. Ai ndikohet edhe nga mënyra se si Beogradi sillet ndaj institucioneve të Kosovës, ndaj serbëve që jetojnë në vendet fqinje dhe ndaj strukturave politike që veprojnë në Bosnjë e Hercegovinë. Një Serbi më pak konfrontuese mund të krijojë hapësirë për uljen e tensioneve, por vetëm nëse kjo reflektohet në veprime konkrete dhe jo vetëm në komunikim diplomatik.

Përtej politikës së jashtme, Lista Studentore duhet të dëshmojë se mund të kontrollojë institucionet që për 14 vjet kanë funksionuar nën dominimin e SNS-së. Më 29 tetor, lëvizja kërkoi dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të policisë, shërbimeve të inteligjencës dhe gjyqësorit, duke kërkuar njëkohësisht ruajtjen e dokumentacionit dhe hetimin e rasteve të dyshuara të korrupsionit. Dhe sigurisht, duhet mos harruar rastin “Banjska”, për të cilën mbetet të shihet nëse do të ndërmerren masa ndaj kryekriminelit Milan Radoiçiq bashkë me grupin e tij, të cilët kryen sulm terrorist në veri të Kosovës.

Kjo është arsyeja pse largimi i Vuçiqit nuk duhet barazuar me përfundimin e modelit politik që ai përfaqësoi. Partia e tij mbetet një forcë e rëndësishme parlamentare, ndërsa administrata, institucionet e sigurisë dhe rrjetet politike të ndërtuara gjatë viteve nuk zhduken me një rezultat zgjedhor.

Për Kosovën, përfundimi është më i ndërlikuar sesa pritja për një Beograd të ri. Një qeveri që mund të jetë më e hapur ndaj reformave, më pak e përqendruar te një lider dhe më e kujdesshme në raportet me Perëndimin nuk është domosdoshmërisht një qeveri që do të ndryshojë politikën ndaj Kosovës. Përkundrazi, nëse ruan të njëjtat objektiva për mosnjohjen, kundërshtimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe mbështetjen te Rusia e Kina, atëherë ndryshimi do të jetë kryesisht në metodë.

Serbia mund të hyjë në një periudhë pas Vuçiqit, por kjo nuk do të thotë se po hyn edhe në një periudhë pas politikës së Vuçiqit ndaj Kosovës. Ky është dallimi që Prishtina, Brukseli dhe Uashingtoni duhet ta kenë parasysh gjatë vlerësimit të qeverisë së ardhshme në Beograd.

Prova e vërtetë nuk do të jetë sa shpejt do të ndryshojë gjuha e pushtetit të ri, por nëse ai do të jetë i gatshëm të ndryshojë vendimet, praktikat dhe politikat që e kanë mbajtur konfliktin me Kosovën të pazgjidhur./Telegrafi/

Lexo edhe

A do të ketë Gjermania së shprejti një presidente?

A do të ketë Gjermania së shprejti një presidente?

Dhjetëra mijëra njerëz protestojnë kundër regjimit të Narendra Modit në Delhi të Indisë

Dhjetëra mijëra njerëz protestojnë kundër regjimit të Narendra Modit në Delhi të Indisë

Altman kritikon përdorimin e RAM-it në kompjuterët personalë, deri në 40 për qind e prodhimit mund të përfundojë në duart e OpenAI

Altman kritikon përdorimin e RAM-it në kompjuterët personalë, deri në 40 për qind e prodhimit mund të përfundojë në duart e OpenAI