Pas gati katër dekadash, “Dëshira” u kthye në skenën e “Akordeve të Kosovës”

Pas gati katër dekadash, “Dëshira” u kthye në skenën e “Akordeve të Kosovës”

Pas gati katër dekadash, “Dëshira” u kthye në skenën e “Akordeve të Kosovës”

“Dëshira, dëshira, miliona dëshira…” janë vargjet e këngës “Dëshira”, të cilat publiku i kishte dëgjuar për herë të fundit në skenën e “Akordeve të Kosovës” në vitin 1989, e që u rikthyen pas gati katër dekadash, kësaj radhe në edicionin e festivalit të organizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës pas rikthimit të emrit të tij historik.

Ishte këngëtarja Deniza Begolli Gjini ajo që solli sërish këtë këngë para publikut, duke u ngjitur në skenën e “Akordeve të Kosovës” në natën e dytë si mysafire speciale. Një rikthim që përtej interpretimit muzikor, solli kujtime, nostalgji dhe emocione të veçanta për artisten dhe publikun.

Sponsor 3M Express

Qetësia elegante dhe butësia me të cilën Deniza e përcillte përjetimin e saj e bënin edhe më të veçantë këtë rikthim. Ajo vetë e përshkroi emocionin e përjetuar pas interpretimit si një ëndërr.

“Shumë jam e emocionuar dhe e kam pak vështirë t’i përshkruaj ato emocione menjëherë pas interpretimit tim. Si të ishte një ëndërr e cila dua që të zgjasë edhe më shumë. Në vitin 1989 e kam interpretuar këngën ‘Dëshira’, kur edhe është mbajtur edicioni i fundit i ‘Akordeve të Kosovës’, organizuar nga Radiotelevizioni i Prishtinës”, ka treguar ajo në një intervistë për RTK-në.

“Seleksioni 039”, një dashuri që vazhdon

Rrugëtimi muzikor i Denizës lidhet ngushtë me grupin “Seleksioni 039”, me të cilin ka bashkëpunuar për një periudhë të gjatë. Ajo e kujton këtë bashkëpunim me një lidhje të veçantë emocionale, duke e cilësuar grupin si “bend të shpirtit”.

Që nga viti 1992, këngëtarja jeton në Kroaci, ku vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me muzikën. Aty punon si profesoreshë e muzikës me fëmijë dhe udhëheq një kor grash, duke e vazhduar përkushtimin e saj ndaj artit dhe edukimit muzikor.

Megjithatë, lidhja me këngët e interpretuara ndër vite dhe me publikun shqiptar mbetet e gjallë. Deniza ka bërë të ditur se është duke punuar në mbledhjen e këngëve që ka interpretuar gjatë karrierës së saj, me synimin që t’i përmbledhë në një album, të cilin dëshiron t’ia lërë Kosovës si trashëgimi muzikore.

Mirënjohje për një festival që nuk i harron artistët

Emocionet e rikthimit, kënaqësinë nga organizimi dhe takimin me kolegët, Deniza i ka shprehur edhe në një postim në profilin e saj në Facebook. Ajo ka vlerësuar nivelin artistik dhe teknik të festivalit, përkushtimin e stafit, punën e orkestrës dhe aranzhimin e këngës nga Ilir Bajri, si dhe angazhimin e dirigjentit Memli Kelmendi.

Për artisten, pjesë e veçantë e kësaj përvoje ishte edhe takimi me kolegët e brezit të saj dhe njohja me artistët e rinj, të cilët i kanë lënë përshtypje të mira. Ajo ka veçuar interpretimin e Sejat Jakupit, ndërsa për grupin “Hawolf” ka shprehur gjithashtu vlerësim të veçantë.

“E kam zemrën plot, më keni frymëzu e inspiru me ide të reja për bashkëpunim”, ka shkruar ajo, duke falënderuar organizatorët, artistët, miqtë dhe familjen për mbështetjen.

Në mesin e vlerësimeve të saj, Deniza ka përgëzuar edhe fituesen e festivalit, Troja Bicurrin, ndërsa për talentet e reja dhe të ardhmen e muzikës në Kosovë ka shprehur optimizëm.

“Muzika në Kosovë është në duart më të mira. Duke punuar me këtë përkushtim do të ecni përpara e vetëm qielli do t’ju jetë kufi”, ka shkruar këngëtarja.

Në fund të mesazhit të saj, ajo është ndalur te një ndjenjë që duket se e ka shoqëruar përgjatë gjithë këtij rikthimi: mirënjohja që publiku dhe institucioni nuk i kanë harruar artistët e brezit të saj.

“Jam mirënjohëse e falënderuese nga zemra që nuk po na harroni, në këto kohëra ku shpejt e shumë po harrohet! Me tregu njerëzi sot është vlerë që s’ka të matur”, ka shkruar Deniza Begolli Gjini.

Rikthimi i saj në skenën e “Akordeve të Kosovës” ishte një takim mes së kaluarës dhe së tashmes, ku një këngë e interpretuar për herë të parë në vitin 1989 gjeti sërish rrugën drejt publikut. Një dëshmi se kujtesa muzikore e një vendi ndërtohet edhe nga artistët që, ndonëse jetojnë larg, vazhdojnë ta mbajnë Kosovën pjesë të krijimtarisë dhe të zemrës së tyre.

 

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

Haradinaj për vizitën e Listës Studentore serbe në Kosovë: Duhej të arrestoheshin

Haradinaj për vizitën e Listës Studentore serbe në Kosovë: Duhej të arrestoheshin

“Autostradat e Thaçit s’po arrini as t’i mirëmbani”/ Musliu- Shoshi kritikon qeverinë për buxhetin e vitit 2027

“Autostradat e Thaçit s’po arrini as t’i mirëmbani”/ Musliu- Shoshi kritikon qeverinë për buxhetin e vitit 2027

Nga vjen emri i Tiranës

Nga vjen emri i Tiranës

Pas gati katër dekadash, “Dëshira” u kthye në skenën e “Akordeve të Kosovës” | Momenti