Aventurieri britanik Karl Bushby ka përfunduar udhëtimin e tij prej rreth 50 mijë kilometrash, nga Amerika e Jugut deri në qytetin Hull të Anglisë, duke u ribashkuar me nënën e tij, 28 vjet pasi ishte nisur në këtë aventurë.

Në nëntor të vitit 1998, atëherë 29-vjeçar dhe ish-parashutist, Bushby u nis nga Punta Arenas në Kili, me synimin për t’u kthyer në shtëpi duke përshkuar një rrugë të pandërprerë, pa përdorur mjete transporti për të avancuar në udhëtim.
Ai i kishte vendosur vetes dy rregulla: të mos kthehej në Britani të Madhe deri në përfundimin e udhëtimit dhe të mos përdorte transport për të përshkuar rrugën.
Gjatë këtyre 28 vjetëve, Bushby kaloi nëpër katër kontinente, përshkoi xhunglat e dendura të Darién Gap, kaloi ngushticën e ngrirë të Beringut dhe notoi për rreth 300 kilometra në Detin Kaspik, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv
Në tetor të këtij viti, ai gjithashtu notoi përtej Kanalit Anglez.
Para mbërritjes në shtëpi, qytetarë të shumtë u mblodhën në qendër të Hullit për ta mirëpritur, ndërsa ai përshkoi kilometrat e fundit drejt nënës së tij, Angela Bushby, në Sutton Park.
Në momentin e ribashkimit, ai u shpreh: “Është mirë të jem në shtëpi.”
Nëna e tij, të cilën nuk e kishte parë prej dhjetë vjetësh, e priti me fjalët: “Ku ke qenë?”.
Ajo tha se ishte e lumtur që i biri ishte kthyer, duke shtuar se ndiente lehtësim.
Gjatë një konference për media pas ribashkimit, Bushby konfirmoi se aventura e tij kishte përfunduar.
“Po i var çizmet në gozhdë”, tha ai.
Rrugëtimi i tij nuk zgjati 28 vjet vetëm për shkak të ecjes. Sipas Bushbyt, vetëm rreth 15 vjet i kaloi duke ecur, ndërsa pjesa tjetër u shënua nga vështirësitë për sigurimin e vizave, kriza ekonomike globale e vitit 2007 dhe pandemia COVID-19.
Ai tregoi se ishte nisur si një udhëtar pa para, duke u mbështetur shpesh në ndihmën e njerëzve dhe, në disa raste, duke ngrënë edhe ushqime të hedhura anash rrugëve.
Më vonë arriti të siguronte sponsorë dhe një marrëveshje për botimin e librit të tij, transmeton Klankosova.tv.
Të dielën, para mbërritjes në Hull, ai ishte pritur edhe nga djali i tij 36-vjeçar, Adam, mbesa 12-vjeçare, të cilën nuk e kishte takuar më parë, si dhe babai dhe vëllezërit e tij.
Pas përfundimit të aventurës, Bushby tha se do t’i duhej kohë për t’u përshtatur me jetën e zakonshme.
Ai ka bërë të ditur se po punon në një dokumentar me regjisori gjerman Werner Herzog, si dhe në librin e dytë për përvojat e tij gjatë udhëtimit. /Klankosova.tv




