Pas vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për t’i shqiptuar vërejtje me shkrim rektorit Arben Hajrullahu, një masë e ardhur pas shkresës së deponuar më 19 nëntor, ka reaguar Parlamenti Studentor, duke e cilësuar këtë si një precedent historik në UP.

Në reagimin e tyre, përfaqësuesit e studentëve theksojnë se Hajrullahu është rektori i parë në historinë e Universitetit të Prishtinës që ndëshkohet me një masë të tillë nga organi më i lartë drejtues.
Sipas tyre, rektori që u kërkonte vazhdimisht përgjegjësi studentëve, tashmë është në pozitën ku duhet të japë llogari për veprimet e tij, pasi dështoi të garantonte stabilitetin institucional, respektimin e rregulloreve dhe komunikimin akademik.
Reagimi i plotë:
REAGIM: REKTORI DUHET TË JAPË LLOGARI!
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, pas shkresës së deponuar nga Parlamenti Studentor më 19 nëntor, i ka shqiptuar masën e vërejtjes me shkrim Rektorit, Arben Hajrullahu.
Me këtë vendim, Arben Hajrullahu bëhet rektori i parë në historinë e Universitetit të Prishtinës që merr vërejtje me shkrim nga organi më i lartë drejtues i Universitetit.
Rektori, i cili vazhdimisht ka kërkuar përgjegjësi nga studentët, sot duhet të japë vetë llogari për veprimet e tij. Ai që duhej të garantonte stabilitetin institucional, respektimin e rregulloreve dhe komunikimin akademik, sot përballet me një masë nga vetë Këshilli Drejtues.
Parlamenti Studentor kërkon publikimin e plotë të përmbajtjes së vërejtjes. Transparenca nuk është çështje vullneti, por detyrim institucional.
Shqiptimi i kësaj mase nuk i zgjidh problemet e studentëve, nuk i zhbën krizat institucionale dhe nuk e përjashton Rektorin nga përgjegjësia për keqmenaxhimin e deritanishëm.
Senati nuk mund të vazhdojë punimet sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Për këtë arsye, senatorët studentorë do ta bojkotojnë mbledhjen e Senatit në shenjë proteste dhe në kërkim të llogaridhënies institucionale.
Nuk mund të kërkosh përgjegjësi nga studentët, ndërkohë që shmang përgjegjësinë për veprimet e tua.
Universiteti nuk është pronë e Rektorit. Askush nuk është mbi institucionin!
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës
Burimi: Insajderi




