Paralajmërimet për rreziqet e modernizimit të sistemit të aviacionit në SHBA u injoruan

Paralajmërimet për rreziqet e modernizimit të sistemit të aviacionit në SHBA u injoruan

Paralajmërimet për rreziqet e modernizimit të sistemit të aviacionit në SHBA u injoruan

Autoritetet federale të aviacionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin paralajmëruar prej vitesh se modernizimi i shpejtë i sistemit të kontrollit të trafikut ajror mund të shkaktonte ndërprerje serioze, përfshirë ndalimin e fluturimeve në shkallë kombëtare.

Sipas një artikulli të The Washington Post, paralajmërimet ishin përfshirë në raporte qeveritare të publikuara muaj dhe vite para ndërprerjes së së premtes, e cila për afro katër orë e gjysmë ndaloi fluturimet në të gjithë vendin dhe shkaktoi anulimin e më shumë se 12 mijë fluturimeve.

Sponsor 3M Express

Zyrtarët federalë ia atribuuan incidentin një ruteri të mbingarkuar, të cilin një kontraktor po e instalonte në kuadër të projektit për zëvendësimin e kabllove të bakrit me kabllo me fibra optike në rrjetin e komunikimit të kontrollit të trafikut ajror.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean P. Duffy, tha se pajisja po gjeneronte më shumë se një mijë përpjekje për lidhje çdo katër deri në pesë sekonda, duke shkaktuar paqëndrueshmëri në sistemin që u mundëson kontrollorëve të komunikojnë me avionët në lartësi të mëdha.

Duffy e cilësoi rastin si incident të izoluar, duke thënë se mund të ketë qenë gabim i kontraktorit ose defekt i pajisjes. Ndërkaq, administratori i Administratës Federale të Aviacionit (FAA), Bryan Bedford, tha se modernizimi duhet të vazhdojë, pasi sistemi do të vazhdojë të ketë probleme derisa të zëvendësohet.

Megjithatë, një raport i Zyrës së Përgjegjshmërisë Qeveritare (GAO), i publikuar në shtator, kishte paralajmëruar se qasja e FAA-së për modernizimin e sistemit po i jepte përparësi shpejtësisë, duke rritur rrezikun e pasigurisë së kostove dhe ndërprerjeve të mundshme.

Sipas raportit, projekti përfshin më shumë se 11 mijë ndërhyrje të veçanta, të cilat nuk po menaxhoheshin përmes një orari të përgjithshëm të koordinuar. Për këtë arsye, përmirësimet në objekte të ndryshme mund të kryheshin në disa vizita, pa u trajtuar paraprakisht konfliktet e mundshme apo ndikimi i tyre në operacionet e kontrollit ajror.

Edhe një vlerësim i sigurisë, i porositur nga FAA-ja në vitin 2023, kishte paralajmëruar për rrezikun e ndërprerjeve gjatë përditësimit të teknologjisë. Ekspertët kishin theksuar nevojën që sistemet e vjetra të ruheshin gjatë periudhës së kalimit në teknologjinë e re.

Një zyrtar teknik i FAA-së, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se qasja e agjencisë përfshinte rreziqe, pasi ndryshimet po bëheshin në një sistem të brishtë që duhet të funksionojë pa ndërprerje. Ai e krahasoi procesin me ndërrimin e motorit të një veture derisa ajo është në lëvizje.

Ndërkohë, sindikata e specialistëve të sigurisë së aviacionit tha se teknikët e përfaqësuar prej saj nuk ishin përfshirë në përmirësimet që çuan në ndalimin e fluturimeve. Sipas sindikatës, praktika e mëparshme kërkonte që punonjësit e FAA-së të kryenin vlerësimin e rrezikut dhe të koordinonin mirëmbajtjen e pajisjeve.

Projekti i modernizimit përfshin zëvendësimin e rrjetit të vjetër të komunikimit me kabllo me fibra optike. Kompania kontraktuese L3Harris Technologies ka përshpejtuar punën gjatë vitit të kaluar dhe, sipas Duffy-t, rreth 70 për qind e saj tashmë është përfunduar.

Duffy kritikoi vazhdimisht kompaninë, duke thënë se autoritetet do t’i mbajnë përgjegjës kontraktorët për shërbimet e dobëta. Nga ana tjetër, një zëdhënës i L3Harris tha se kompania po mbështet hetimin e FAA-së për të kuptuar rrethanat që çuan në ndërprerjen e 13 nëntorit.

Ish-zyrtari i sigurisë në FAA, Tom Lintner, paralajmëroi se një incident i ngjashëm mund të përsëritet nëse modernizimi vazhdon me një afat kohor jorealist. Ai ngriti pikëpyetje nëse agjencia kishte bërë paraprakisht një vlerësim të plotë të sigurisë, duke përfshirë rreziqet dhe mënyrat për t’i parandaluar ato.

Problemet me teknologjinë e vjetër janë të njohura prej kohësh. Raporti i ekspertëve i vitit 2023 theksonte se rrjeti i komunikimit me kabllo bakri përdorte teknologji aq të vjetruar, saqë kompanitë telefonike nuk e mbështesnin më infrastrukturën përmes së cilës transmetoheshin sinjalet.

FAA-ja e kishte identifikuar këtë infrastrukturë si një nga rreziqet më të mëdha për sigurinë e hapësirës ajrore që në korrik të vitit 2023. Megjithatë, edhe kalimi në sistemin e ri konsiderohej i rrezikshëm, pasi një dështim i paplanifikuar mund të ndërpriste komunikimin me pjesën tjetër të hapësirës ajrore kombëtare.

Sipas The Washington Post, grupi i ekspertëve që kishte hartuar raportin ishte angazhuar nga FAA-ja për një shqyrtim të ri të sigurisë në tetor të vitit 2024. Por, disa javë pasi Donald Trump mori detyrën në janar të vitit 2025, anëtarët e grupit u njoftuan se ai po shpërbëhej.

Një ish-zyrtar i lartë i njohur me raportin tha se pas këtij vendimi nuk kishte më interes për të vazhduar shqyrtimin e problemeve të tjera të sigurisë në sistemin e kontrollit të trafikut ajror.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Tirana mbetet pa samitin e NATO-s në vitin 2027, Aleanca shkurton edhe takimet e ministrave – zbardhet riorganizimi

Tirana mbetet pa samitin e NATO-s në vitin 2027, Aleanca shkurton edhe takimet e ministrave – zbardhet riorganizimi

Tirana mbetet pa samitin e NATO-s në vitin 2027, Aleanca shkurton edhe takimet e ministrave – zbardhet riorganizimi

Tirana mbetet pa samitin e NATO-s në vitin 2027, Aleanca shkurton edhe takimet e ministrave – zbardhet riorganizimi

Moska kërkon ta kthejë NATO-n 29 vjet prapa – zbulohet dokumenti rus që synon të ndryshojë sigurinë e Evropës

Moska kërkon ta kthejë NATO-n 29 vjet prapa – zbulohet dokumenti rus që synon të ndryshojë sigurinë e Evropës