Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka miratuar dy udhëzues që përmbyllin kornizën rregullative për funksionalizimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS-K, i cili do të mundësojë transferimin e parave brenda pak sekondash, në çdo kohë të ditës.

Sipas BQK-së, zbatimi gradual i sistemit do të nisë më 23 nëntor 2026 dhe do të zgjasë tre muaj. Gjatë kësaj periudhe do të bëhet përfshirja progresive e bankave në sistem, ndërsa nga 23 shkurti 2027 të gjitha bankat në Kosovë pritet të jenë pjesëmarrëse.
Sistemi TIPS-K do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të kryejnë pagesa dhe transfere bankare brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.
Dy udhëzuesit e miratuar nga BQK-ja përcaktojnë aspektet kryesore të funksionimit të sistemit. I pari rregullon kushtet e përdorimit, mënyrën e funksionimit, fushëveprimin dhe tarifat për institucionet pjesëmarrëse.
Ndërkaq, udhëzuesi i dytë përcakton masat për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe mashtrimeve financiare, si dhe kërkesat për menaxhimin e rreziqeve dhe identifikimin e transaksioneve të dyshimta.
Miratimi i këtyre dokumenteve vjen pas miratimit, muajin e kaluar, të Rregullores për Sistemin e Pagesave të Shpejta TIPS-K, duke përmbyllur kështu kornizën rregullative për vënien në funksion të tij.
BQK-ja ka bërë të ditur se ky sistem është pjesë e reformave për modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Kosovë, rritjen e konkurrencës dhe inovacionit financiar, si dhe përafrimin e sektorit bankar me standardet dhe praktikat evropiane.




