Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit me kryetarin e Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, për mbjelljen e një brezi të ri mbrojtës të gjelbër, në vlerë prej 89 mijë eurosh.

Pacolli bëri të ditur se ky investim synon shtimin e hapësirave të gjelbra dhe uljen e ndotjes në Obiliq, qytet që përballet me ndotje të konsiderueshme të ajrit.
Sipas saj, drunjtë që do të mbillen nuk do të kenë vetëm funksion dekorativ, por do të shërbejnë edhe si filtra natyrorë për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Ministrja theksoi se institucionet do të vazhdojnë të investojnë në projekte mjedisore që kontribuojnë në zgjerimin e hapësirave të gjelbra dhe krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për qytetarët. /Telegrafi/




